
Izraeli u kualifikua për finalen e Eurovizionit, disa orë pas protestave që shoqëruan provat gjenerale të përfaqësueses së këtij shteti. Yuval Raphael, 24 vjeçe, po performonte këngën e saj kur gjashtë persona me bilbilë dhe flamuj të mëdhenj palestinezë penguan aktin e saj. Sipas rregullave të arenës ku zhvillohet shfaqja, të gjithë flamujt janë të lejuar, por ka kufizime lidhur me përmasat. Televizioni zviceran SRG SSR, që po organizon eventin, bëri të ditur se pjesëtarët e audiencës u shoqëruan menjëherë jashtë arenës St Jakobshalle.
Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovizion ka qenë burim polemikash të mëdha, teksa ushtria e vet ka intensifikuar bombardimet në Gaza dhe vijon të bllokojë hyrjen e ndihmave dhe furnizimeve të tjera humanitare. Artistja 24-vjeçare është e mbijetuar e sulmeve të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, në festivalin muzikor Supernova. Incidenti, megjithatë, nuk e pengoi performancën e Raphael, e cila është mes favoriteve për të fituar kompeticionin, sipas kompanive të basteve.
Dhjetë shtete u kualifikuan për të shtunën në gjysmëfinalen e dytë, përfshirë Greqinë, Danimarkën, Luksemburgun dhe Maltën. U skualifikuan nga gara Serbia, Mali i Zi dhe Australia, performanca e të cilës ishte pritur mirë para festivalit. Finalja e Eurovizionit do të mbahet më 17 maj në Bazel, ku do të performojnë 26 shtete, përfshirë Shqipërinë, e kualifikuar në gjysmëfinalen e parë. Përfaqësuesit tanë, Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila është vlerësuar gjerësisht nga publiku, do të garojnë të fundit në radhë, ndërsa Norvegjia do të çelë spektaklin.