
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli ditën e djeshme hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe 2 të pandehurve të tjerë, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.
Ndërkohë paraditen e sotme është hedhur dhe shorti elektronik duke përcaktuar Etleva Dedën si gjzqtaren që do të shqzrtojë dosjen në fjalë.
Jurgis Çyrbja akuzohet për veprat penale “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Përkrahje e autorit të krimit”, “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, të kryera në disa raste.
Nga hetimet e SPAK, është vërtetuar se ish-deputeti Çyrbja në bashkëpunim me Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin, gjatë periudhës 1.5.2020 deri në datë 8.3.2021 duke u koordinuar nga bisedat të zhvilluara nga aplikacionin SkyECC, janë vënë në dijeni të të dhënave të sistemit “TIMS” nga persona të tretë të shpallur në kërkim, mbi veprimtarinë e Policisë së Shtetit kryesisht në qarkun e Durrësit, por dhe më gjerë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Në hetime gjithashtu është dëshmuar se gjatë periudhës 2017-2021, kur Jurgis Çyrbja është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka pasur marrëdhënie të ngushta me të pandehurit Altin Hajri, një eksponent i botës së krimit i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave të shumta penale.