Prokuroria e Posaçme ka thirrur më 24 maj kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për të dhënë dëshmi për dosjen Xibraka.
Hetimet janë riaktivizuar pas denoncimeve publike nga ana e Bardhit.
Bardhi u thirr më herët për të shkuar në SPAK gjatë ditës së nesërme për të dhënë sqarime për procedimin penal nr.88 të vitit 2024 lidhur me dosjen Xibraka. Seanca e nesërme është shtyrë për shkak të një vizite të Bardhit në Bundestagun gjerman.
“Në vijim të kërkesës së Kreut të Grupit të PD Gazment Bardhi për pamundësinë për tu paraqitur nesër në SPAK, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag, ju informoj se z. Bardhi do të paraqitet më datë 24.05.2024, ditën e premte, ora 10:00, me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dojsa “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë”.
“Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar. SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK” shkruan Bardhi në një postim në facebook pak ditë më parë ku publikoi foton e fletëthirrjes nga SPAK.