Nga Adriatik BALLA
Tri javë më parë në një nga ambientet e kryeministrisë befasoi me shfaqjen e vet ekipi i taekundosë (taekwondo) dhe kikboksit (kickboxing) të Kamzës. Duket e pamundur por është e vërtetë, Kamza po sfidon bashkinë e madhe të Tiranës në sport. Ky zhvillim duhet parë në dy drejtime: Në shtimin e numrit të sportistëve dhe, së dyti, në përhapjen e disiplinave. Sot në Kamzë ka ekipe sportive kolektive por edhe sporte individuale me përbërje cilësore. Viti që po mbyllet ishte veçanërisht i suksesshëm për dy disiplina, taekundonë dhe kikboksin, që drejtohen nga trajneri Sokol Çera. Ai ka në total 70 sportistë, 35 në taekundo dhe 25 në kikboks, në të gjitha grupmoshat, përfshi jo vetëm meshkuj por edhe femra.
Sa për të krijuar një ide mbi rëndësinë që i ka dhënë Bashkia e Kamzës dhe personalisht kryebashkiaku Rakip Suli sportit në tërësi vlen të thuhet se dy disiplinat që drejton Çera kanë marrë pjesë në Kupën e Shqipërisë në kikboks dhe kanë zënë vend të dytë, e po vend të dytë për kadetë edhe në taekundo, me pritshmëri edhe më të mëdha në të ardhmen.
Bashkia i ka plotësuar kushtet për sportistët, duke u vënë në dispozicion palestrat dhe duke i mbwshtetur vazhdimisht sportistwt dhe stafin. Qëllimi është që sporti në Kamzë jo vetëm të masivizohet, por edhe të jetë konkurrues në rang vendi e pse jo dhe në nivel ballkanik dhe europian.
Çdo ditë që kalon me ekipin bashkohen të rinj e të reja, si dhe kategori të ndryshme fëmijësh. Janë vetë prindërit që interesohen që fëmijët e tyre të ushtrohen me sport. Kjo është dhe një mënyrë për t’i shkëputur ata nga përdorimi me orë të zgjatura i telefonit apo largimi i tyre nga veset. Gjithçka ndodh në qendrën përgatitore në Kamzë, ku fëmijët ushtrohen, seleksionohen dhe marrin një drejtim sportiv. Në këtë pikë organizimi, siç thamë, Bashkia e Kamzës e ka sfiduar edhe Bashkinë e madhe të Tiranës.
Çera thotë se ekipin e ka pasur edhe në vitin 2011, më pas u mbyll, por me suportin e Rakip Sulit si kryebashkiak, ai jo vetëm e ka kthyer ekipin, por sot është ndër shoqëritë sportive elitare në rang vendi. Kamza në taekundo dhe në kikboks nuk është vetëm skuadër që merr pjesë, por është ekip me kampionë në përbërje, me sportistë të fuqishëm.
Por e ardhmja duket edhe më e ndritur. “Planet tona për vitin 2025 janë të zgjerojmë ekipet, por edhe të marrim pjesë në gara ballkanike dhe europiane. Në kampionatet kombëtare do të synojmë të marrim pjesë me të gjitha grupmoshat e në të gjitha kategoritë e peshave. Kemi sportistë cilësorë, ku veçoj në taekundo për të rritur Albian Deda e Aris Shkjau, ndërsa te vajzat Nertila Tota dhe Lorena Muça, e shumë të tjerë. Në kikboks spikatën Dejvid Ndoca, Rei Balla kampionë kombëtar etj”, shprehet tekniku 39-vjeçar Sokol Çera.
Së fundmi, më 21 dhjetor Bashkia organizoi ceremoninë “Më të mirët 2024”, ku u dhanë certifikatat përkatëse. Një prani e madhe njerëzish, në një sallë të tejmbushur, çka tregon se Rakip Suli i ka dhënë besim sportit në Kamzë dhe për pak vite nga kjo bashki do të dalin kampionë të fuqishëm në shumë lloje sportesh.