
Qindra fluturime janë anuluar dhe linjat e trenave janë pezulluar pasi stuhitë goditën Pekinin dhe Kinën veriore të shtunën. Deri në orën 11:30 me kohën lokale (03:30 GMT) të shtunën, 838 fluturime ishin anuluar në dy aeroportet kryesore të kryeqytetit.
Shpërthimet e erës deri në 93 mph (150 km/h), më e forta në kryeqytetin kinez për më shumë se gjysmë shekulli do të vazhdojnë gjatë fundjavës, duke detyruar mbylljen e atraksioneve dhe vendeve historike.
Shërbimet e trenave duke përfshirë linjën e metrosë ekspres të aeroportit dhe disa linja hekurudhore me shpejtësi të lartë janë pezulluar. Parqet u mbyllën gjithashtu, me disa pemë të vjetra të përforcuara ose të shkurtuara në përgatitje, por gati 300 pemë tashmë janë rrëzuar në kryeqytet. Një numër automjetesh u dëmtuan, por nuk u raportuan të lënduar në Pekin shumica e banorëve ndoqën këshillën e autoriteteve për të qëndruar brenda, pasi qyteti paralajmëroi 22 milionë banorë që të shmangnin udhëtimet jo thelbësore.
“Të gjithë në Pekin ishin vërtet nervozë për këtë. Sot nuk ka shumë njerëz në rrugë. Megjithatë, nuk ishte aq e rëndë sa e kisha imagjinuar”, tha një banor vendas për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ndërsa një biznesmeni nga provinca Zhejiang iu anulua fluturimi për në shtëpi.
“Për shkak të erërave të forta, të gjitha fluturimet e planifikuara për natën e kaluar dhe sot u anuluan. Kështu që unë ndoshta do të ri rezervoj fluturimin tim pas disa ditësh. Tani jam bllokuar në Pekin,” tha ai.
Erërat e forta vijnë nga një sistem vorbullash të ftohtë mbi Mongoli dhe pritet të zgjasin gjatë fundjavës. Pekini lëshoi alarmin e tij të parë portokalli për erëra të forta në një dekadë me erërat më të forta që priten të shtunën.