JiL.al - Jeto i Lumtur

Sulmi izraelit vrau 7 punonjës humanitarë, pas hetimeve

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një hetim nga Izraeli për vrasjen e shtatë punonjësve të ndihmave në një sulm ajror në Gazë këtë javë, arriti në përfundimin se forcat izraelite kishin bërë gabime serioze dhe kishin shkelur procedurat e veprimit. Si pasojë, dy oficerë janë shkarkuar dhe disa komandantëve të lartë u janë bërë vërejtje zyrtare.

Sipas hetimit, forcat izraelite kishin menduar se po godisnin anëtarë të armatosur të Hamasit kur qëlluan me dronë tre automjetet e organizatës humanitare World Central Kitchen të hënën vonë. Po ashtu hetimet zbuluan edhe shkelje të procedurave standarde.

“Goditja e automjeteve të punonjësve të ndihmave është një shkelje e rëndë që ndodhi nga një dështim serioz që çoi në identifikimin dhe vendimmarrjen e gabuar, si dhe në kryerjen e sulmit në kundërshtim me Procedurat Standarde të Operacioneve,” tha ushtria në një deklaratë të premten.

Vrasja e shtatë punonjësve të ndihmave, mes së cilëve shtetas të Britanisë, Australisë dhe Polonisë, një shtetas me dyshtetësi kanadeze dhe amerikane dhe një koleg i tyre palestinez, shkaktoi indinjatë në gjithë botën këtë javë.

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se do të ketë një ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit nëse ai nuk minimizon dëmin ndaj civilëve dhe punonjësve të ndihmave në Gazë.

Ushtria tha se autokolona e ndihmave, që po shoqërohej nga tre makinat e World Central Kitchen, kishte ndalur në një depo për t’u shkarkuar.

Një burrë i armatosur ishte parë mbi njërin prej kamionëve dhe ndërsa tre automjetet shoqëruese të organizatës u larguan nga depoja, komandantët nuk arritën t’i identifikonin ato si automjete të World Central Kitchen (WCK), thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Yoav Har-Even, kreu i ekipit të hetimit, tha se forcat e ushtrisë nuk kishin mundur të shihnin në errësirë logot e WCK-së mbi makina dhe kishin besuar gabimisht se ato ishin marrë nga luftëtarët e Hamasit.

“Ata besonin se misioni humanitar kishte përfunduar dhe se automjetet që po gjurmonin i takonin Hamasit dhe identifikuan gabimisht si luftëtar të armatosur të Hamasit të paktën një person brenda njërës prej tre makinave,” u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi.

“Ata e goditën automjetin dhe më pas panë persona që dolën nga njëra makinë dhe hynë në një makinë të dytë dhe në atë moment vendosën të godasin makinën e dytë. Më pas dy persona dolën nga makina e dytë dhe hynë në një të tretë dhe në atë moment u godit edhe makina e tretë”, tha zoti Har-Even.

Sulmet ishin në shkelje të procedurave standarde të të vepruarit të IDF-së, tha ai.

Ushtria tha se kishte shkarkuar një shef të një shtabi brigade me gradën kolonel dhe një oficer me gradën major, si edhe u bëri vërejtje zyrtare ushtarakëve të lartë, përfshirë gjeneralin që kryeson Komandën Jugore.

Por World Central Kitchen kërkoi krijimin e një komisioni të pavarur për të hetuar vrasjet, duke thënë në një deklaratë se hetimin nga IDF-ja nuk mund të jetë i besueshëm.

Jose Andres, kuzhinieri i famshëm dhe themeluesi i organizatës bamirëse World Central Kitchen, kishte thënë pas sulmit se shtatë punëtorët ishin vënë në shënjestër “sistematikisht, nga makina në makinë” ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin zjarrit duke shkuar në makinat e tjera.

Ushtria premtoi se përfundimet e hetimit do të shërbenin për të nxjerrë mësime për të ardhmen./ VOA

Scroll to Top