SPAK ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.202, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve:
Sultan Lakdar Grimash, lindur në Algjeri alias Sadak Gramach (i arrestuar në Kosovë), hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, në mungesë, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Ayoub Bahhoo, lindur dhe banues në Algjeri, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Muhammed Radawn alias Muhamed Radouw, me kombësi dhe shtetasi siriane, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Muhamed Shehab, me kombësi dhe shtetasi siriane, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Rabi Lqadi alias Rabia El-Kadi, me kombësi siriane, i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Muhammed Nasir, me kombësi dhe shtetasi siriane, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Nagid Alabdalah alias Abu Gira, me kombësi dhe shtetasi siriane, i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Këta të pandehur, janë akuzuar dhe dërguar për gjykim për veprat penale “Vrasja e punonjësve të policisë”, e mbetur në tentativë, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, parashikuar nga nenet 79/b, 22 dhe 28/4, të Kodit Penal, e kryer tre herë, në dëm të punonjësve të policisë A. Lushaj, J. Qenanaj dhe G. Cara, “Vrasje e punonjëve të policisë”, e mbetur në tentative parashikuar nga nenet 79/b dhe 22 të Kodit Penal, e kryer dy herë, në dëm të punonjësve të policisë G. Progni dhe A. Shehu, “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, parashikuar nga neni 76, 22 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të shtetasit B. Duraku, “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22, të Kodit Penal, e kryer në dëm të shtetasit I. Rexha, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm për qëllime përfitime“, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, parashikuar nga neni 298/2 dhe 28/4, të Kodit Penal, “Trafikimi i armëve dhe i municioneve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, parashikuar nga nenet 278/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, kryer në formën e bashkëpunimit të vecantë, parashikuar nga neni 297 dhe 28/4, të Kodit Penal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 333/a/1 dhe 334/1/2, të Kodit Penal.
Hetimet e këtij procedimi janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në përfundim të tyre është provuar se gjatë vitit 2023, në kufirin e gjelbër Morinë (Shqipëri)-Prizren (Kosovë) kanë kryer aktivitetin kriminal të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dy grupe kriminale. Hetimi ka evidentuar se kemi të bëjmë me grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me shkallë të lartë organizimi, i strukturuar me role dhe ndarje të punëve.
Grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Muhamed Shehab, Muhammed Nasir, Nagid Alabdalah në drejtimin e të pandehurit Muhamed Shehab, dhe personave të tjerë të paidentifikuar, dhe grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sultan Grimash, Muhammed Radawn , Ayoub Bahhoo, e Rabi Lqadi, e persona të tjerë të paidentifikuar, si pjesëtarë të grupit në drejtimin e të pandehurit Sultan Grimash.
Të pandehurit Sultan Grimash, Rabi Ladqi, Muhamed Radawn, Muhamed Shehab, rezultojnë të kenë jetuar në Shqipëri të paktën duke filluar nga viti 2019, të cilët janë kapur disa herë me emigrantë të tjerë në territorin Shqiptar, duke u hequr edhe ata si emigrantë, dhe duke mos u bërë e mundur identifikimi i tyre si organizues, apo sigurues të transportit të tyre, ku gjatë intervistimeve, kanë dhënë gjeneralitete të rreme. Ata janë dërguar në kampe, ku janë larguar nga aty, duke patur edhe urdhra largimi nga territori Shqiptar.