
TIRANË- Aktori dhe prezantuesi Florjan Binaj ka shpallur ditën e sotme kandidaturën për kryetar bashkie të Tiranës. Me ana të një postimi në Facebook, Binaj shkruan se ka ardhur koha që të gjithë qytetarët të bashkohen.
Me mbi dy dekada përfshirje aktive në çështje me interes kombëtar, ai vjen si një alternativë e pavarur, larg partive politike, me synimin për ta kthyer bashkinë në një institucion në shërbim të qytetarëve, jo të partive.
Binaj shpreson që të gjitha partitë politike që duan vërtet ndryshimin, pavarësisht ngjyrave, të bashkohen me këtë nismë. Me një thirrje për unitet, ai fton të majtë, të djathtë dhe gjithë spektrin shoqëror që të bashkohen për një ndryshim real.
Postimi i plotë:
Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera.
Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.
Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta. Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit! Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen. Faleminderit.
