
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mesditën e sotme në qytetin e Laçit, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave.
Mes të plagosurve është edhe një grua, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes duke shitur qirinj. Ajo ka marrë plagë nga predhat dhe është dërguar me urgjencë në spital së bashku me dy personat e tjerë të lënduar.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën. Grupi hetimor është duke mbledhur prova dhe dëshmi për të zbardhur motivet dhe autorët e mundshëm të ngjarjes. Ende nuk ka informacione zyrtare mbi identitetin e të plagosurve apo shkakun e konfliktit që çoi në përdorimin e armës.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të frekuentuar afër një objekti fetar, çka ka shtuar shqetësimin në opinionin publik.