
BEOGRAD, 30 shtator 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin serb pasditen e së martës, ku një grua 51-vjeçare humbi jetën dhe katër persona të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë në lagjen Višnjička Banja.
Sipas mediave serbe, dyshohet se ngjarja lidhet me një konflikt mes grupeve të tifozëve. Viktima, e identifikuar si D.V., nuk ishte objektivi kryesor i atentatorëve. Ajo humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë: Lj.M. (42) dhe O.A. (59), të cilët u qëlluan në këmbë, si dhe N.N. (33) dhe D.R. (29), të cilët po marrin trajtim në Qendrën e Emergjencës në Beograd.
Dëshmitarët raportuan se rreth dhjetë persona dolën nga një furgon i bardhë dhe hapën zjarr ndaj një individi brenda lokalit, por plumbat goditën edhe të pranishmit e tjerë.
Policia serbe ka vënë në zbatim operacionin “Vihor 3” dhe është në kërkim të furgonit të bardhë dhe të paktën dy autorëve të dyshuar. Zona e Palilulës është bllokuar plotësisht, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar një armë zjarri. Hetimet po drejtohen nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.