
Tension i lartë tek Parku Olimpik teksa po numërohen votat e Diasporës. Kjo pasi, qarku i Lezhës është ndarë me një grusht votash midis dy partive të mëdha, duke shkuar në foto-finish.
Kjo duket se ndezi gjakrat dhe pas debatit të mëhershëm mes përfaqësuesve të PD, Jorida Tabaku e Gjin Gjoni me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi për 50 vota që pretendohej prej tyre se dolën tepër në kutitë e fundit, pati edhe tone të ngritura mes përfaqësuesve të dy partive.
Në një moment, ka qenë drejtuesi i PS për Diasporën, Taulant Balla, i cili ka kontestuar një fletë votimi në stendën e qarkut Lezhë, çka ka ndezur reagimin e demokratëve në sallë, duke shkaktuar tension deri në kufijtë e përplasjes fizike.
Në fund ishin të djathtët ata që gëzuan, teksa numërimi i fletëve të fundit të Diasporës u prit me duartrokitje nga ligjvënësit dhe vëzhguesit e PD në sallë.
Por teksa nisën festimet në kampin demokrat, Flamur Noka i zuri rrugën deputetit Taulant Balla dhe pasi shkëmbyen fjalë nisi ta shtynte me duar.
Ndërhyrja e të pranishmëve shmangu vijimin e tensioneve dhe përplasjeve. Por deputeti Xhelal Mziu tentoi të përplasej fizikisht me Ballën, por demokrati u ndal nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, që e kapi nga xhaketa.
Më pas situata u qetësua. Të dyja palët e pranuan rezultatin, teksa kishte edhe batuta e shtrëngime duarsh mes palëve. Socialisti Admir Kadeli i ka uruar fitoren Gjin Gjonit.
Me këtë rezultat, PD arrin të ruajë fitoren në tre qarqe të veriut: Lezhë, Shkodër dhe Kukës.