
Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi tentoi të fuste rreth 1.2 tonë naftë kontrabandë në Shqipëri nëpërmjet kufirit me Kosovën.
Autoritetet kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasinë e naftës dhe një automjet fugon që transportonte naftën.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, në vijim të monitorimit të kufirit jeshil me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti të tentativës për kontrabandë me hidrokarbure. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar në rrugën rurale Pakisht-Kukës, automjetin tip furgon, me drejtues shtetasin 39 vjeç, banues në Kolesian, Kukës, ku pas kontrollit në brendësi të furgonit, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1.2 tonë naftë të futur kontrabandë nëpërmjet Pakishtit, jashtë pikave të kalimit kufitar dhe shërbimeve doganore, duke iu shmangur kontrollit kufitar dhe doganor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sasia e karburantit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa drejtuesi i automjetit u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.