
Athinë, 15 korrik 2025 – Denis Mecolli, 39 vjeç, është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimi në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje të ndodhur në qytetin e Korçës, në muajin shkurt të këtij viti.
Operacioni u realizua në kuadër të aksionit të përbashkët të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe autoriteteve greke. Falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Athina, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i Mecollit në Greqi.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim të datës 9 shkurt 2025, i kishte caktuar Denis Mecollit masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më 4 shkurt 2025, kur ai dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. Sh, 40 vjeç, duke e goditur me mjet prerës (thikë) në një zonë të qytetit të Korçës.
Aktualisht, janë duke u ndjekur procedurat për ekstradimin e Denis Mecollit në Shqipëri, ku ai do të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat që rëndojnë mbi të.