Një grua rreth moshës 60 vjeçare ka tentuar të mbytet në det në qytetin e Vlorës, por është shpëtuar nga një shtetas ukrainas. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte, ku gruaja, në rrethana ende të paqarta, është futur me rroba në det dhe tentuar t’i japë fund jetës.
Shtetasi ukrainas, Sergei Artemenko, dhe bashkëshortja e tij Katerina, kanë qenë ata që e kanë shpëtuar gruan nga mbytja. Ata tregojnë se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë të papritur dhe kanë menduar se ishte një peshk. Pasi janë afruar, ata kanë vënë re një grua me rroba të zeza, e cila po përpiqej të merrte frymë.
Sergei ka hequr rrobat dhe ka hyrë në ujë për ta shpëtuar, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Katerina, i ka dhënë ndihmën e parë.
Pas shpëtimit, janë njoftuar forcat e policisë dhe shërbimi i urgjencës, të cilët kanë transportuar gruan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Fatmirësisht, gruaja raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Sergei, i cili gjithashtu ka pësuar një dëmtim të lehtë në gjurin e tij, është në gjendje të stabilizuar. Policia po heton më tej rrethanat e ngjarjes.