Tragjedia ajrore ku humbën jetën 244 persona, ja shkaku që dyshohet se çoi në rrëzimin e avionit?

Jil
Jil
2 Min Read

Një avion i kompanisë “Air India” është rrëzuar ditën e sotme pranë aeroportit të Ahmedabad, vetëm pak minuta pas ngritjes në fluturim me destinacion Londrën.

Fluturimi AI171, që ishte nisur drejt aeroportit Gatwick, pësoi aksident fatal duke shkaktuar një tragjedi të rëndë. Në bord ndodheshin 244 persona, përfshirë 232 pasagjerë, 10 anëtarë ekuipazhi dhe 2 pilotë. Avioni Boeing 787-8 Dreamliner u rrëzua mbi një konvikt mjekësh pranë aeroportit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe viktima të shumta, edhe pse bilanci i saktë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sipas autoriteteve lokale, ekipet e emergjencës arritën menjëherë në vendngjarje dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim. Nuk janë raportuar probleme atmosferike në kohën e ngritjes së avionit, çka i ka shtyrë ekspertët të dyshojnë për një përplasje të shumëfishtë me shpendë si shkak të mundshëm të rrëzimit.

Eksperti i fluturimeve, Marco Chan, konfirmoi se moti ishte i mirë dhe nuk kishte faktorë klimatikë që do të ndikonin në incident. Ndërkohë, ish-piloti Saurabh Bhatnagar theksoi se një përplasje me shpendë mund të ketë dëmtuar të dy motorët, duke shkaktuar humbje të fuqisë së avionit menjëherë pas ngritjes. Piloti i avionit kishte dhënë sinjal emergjence “Mayday” para rrëzimit.

Analisti i aviacionit Sanjay Lazar shtoi se modeli Dreamliner nuk kishte histori problemesh serioze teknike, duke e bërë përplasjen me shpendë skenarin më të mundshëm.

Ky është rasti i parë i rrëzimit të një “Boeing 787 Dreamliner” në 14 vite operim. Avioni ka qenë ndër më të besueshmit në industrinë ajrore dhe rrëzimi i tij përbën një goditje të rëndë për Boeing, që tashmë përballet me sfida të tjera për shkak të incidenteve me modelin 737 MAX.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të plota të tragjedisë janë në zhvillim.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania