Ukraina përballet me perspektiva jashtëzakonisht të ndryshme nën një presidencë të mundshme të kandidatëve Donald Trump apo Kamala Harris. Ndërsa fushata e zgjedhjeve presidenciale po i afrohet fundit, asnjëri nga kandidatët nuk ka përcaktuar saktësisht se si planifikojnë të merren me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Poëell, ekspertët thonë se në të njëjtën periudhë, vetë beteja në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht, duke i dhënë më shumë pushtet Ukrainës në përcaktimin e fatit të saj.
Analistët kanë qëndrime të ndryshme për të ardhmen e Ukrainës nëse kandidati republikan për President Donald Trump fiton një mandat të dytë. “Mendohet gjerësisht se kthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë nuk është skenari më i mirë për Ukrainën, megjithëse ka edhe mendime të tjera se gjëndja mund të mos jetë aq keq”, thotë Oleksiy Melnyk nga organizata ukrainase ‘Razumkov’. Ish Presidenti Trump ka thënë se do t’i japë fund luftës me shpejtësi edhe pse kandidati i tij për Nënpresident, JD Vance, më parë ka thënë se ‘nuk i intereson’ Ukraina duke i bërë ukrainasit të pasigurt se çfarë të mendojnë.