SHBA- Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump së fundmi ka bërë me dije se ai nuk ka ndërmend t’i kërkojë ish-ambasadores, Nikki Haley dhe ish-sekretarit të shtetit, Mike Pompeo t’i bashkohen administratës së tij. Trump përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” shkruan se i ka pëlqyer të punojë me ta dhe se e vlerëson punën e tyre por në presidencën e tij të dytë nuk do t’i ftojë ata.
“Më pëlqeu dhe vlerësova shumë punën me ta më parë dhe do të doja t’i falënderoja për shërbimin e tyre ndaj vendit tonë”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
Donald Trump po shqyrton nominimet për stafin e administratës së tij përpara betimit të tij më 20 janar. Nikki Haley, ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, e cila shërbeu si ambasadore e SHBA-së në OKB gjatë presidencës së Trump, e kishte mbështetur kandidaturën e tij në fushatë, pavarësisht se e kritikoi ashpër atë kur ajo vetë po konkurronte për nominimin republikan.
Mike Pompeo i cili, para se të bëhej kreu i diplomacisë amerikane, kishte shërbyer edhe si drejtor i CIA-s gjatë presidencës së Trump-it ishte ndër kandidatët për Departamentin e Mbrojtjes. Deri në shpalljen e nominimeve për emërimin e Partisë Republikane, analistët politikë besonin se Pompeo do të merrte pjesë në garën paraprake, por në prill 2023 ai njoftoi se nuk do të ishte kandidat.
Postimi i plotë:
Nuk do të ftoj ish-ambasadoren Nikki Haley, apo ish-sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, për t’iu bashkuar administratës Trump, e cila aktualisht është në formim. Më pëlqeu dhe vlerësova shumë punën me ta më parë dhe do të doja t’i falënderoja për shërbimin e tyre ndaj vendit tonë. Bëje Amerikën e madhe sërish!