JiL.al - Jeto i Lumtur

Turqia e akuzoi se ka shtyrë emigrantët në territorin e saj

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Roja Bregdetare e Greqisë ka mohuar akuzat e bëra nga Ministria turke e Mbrojtjes se ka shtyrë migrantët nga ishulli grek, Lesbos, në territorin turk.

Më herët gjatë së hënës, Ministria turke e Mbrojtjes publikoi në X një video të xhiruar me dron ku shfaqej Roja Bregdetare greke duke kryer një operacion. Ministria turke tha se anija greke po shtynte një anije me migrantë nga veriu i ishullit Lesbos drejt ujërave territoriale turke.

“Komanda e Rojës tonë Bregdetare menjëherë informoi dhe migrantët që ishin në atë anije u shpëtuan nga anija e Rojës”, tha Ministria turke e Mbrojtjes.

Një zyrtar i lartë i Rojës Bregdetare greke iu përgjigj akuzave duke thënë se “nuk ka ndodhur shtyrje. Është zbulim dhe parandalim i hyrjes ilegale në ujërat territoriale greke”.

Greqia, që është një nga vendet që refugjatët dhe migrantët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia e përdorin për të hyrë në Bashkimin Evropian, nga grupet e ndihmës është akuzuar se dëbon me forcë migrantët nga kufijtë e saj detarë dhe tokësorë, që njihen edhe si “shtyrje” – praktikë e paligjshme.

Greqia dhe Turqia – aleate të NATO-s – kanë mospajtime të kamotshme për çështje të shumta, përfshirë kufijtë e tyre detarë, burimet e energjisë, fluturimet mbi Detin Egje dhe për ishullin e Qipros, të ndarë në vija etnike.

Incidenti i fundit ndodhi dy ditë para 50-vjetorit të pushtimit nga Turqia të një pjese të ishullit, pas një grushtshteti të shkurt, të frymëzuar nga grekët.

Grekët qipriotë duan ribashkimin si pjesë e një konfederate. Turqit qipriotë duan një zgjidhje me dy shtete. REL

Scroll to Top