Një regjiment i ushtrisë ukrainase, i përbërë kryesisht nga shtetas rusë, ka ndërmarrë një sulm të befasishëm në rajonin e Kursk-ut brenda territorit rus.
Sulmi ka nisur që prej ditës së djeshme dhe është duke vijuar ende, teksa raportohet se ushtarë të shumtë rusë që janë kapur në befasi kanë pësuar dëme të mëdha.
Sulmi është kryer në disa vektorë, në veri-lindje të Ukrainës, duke depërtuar në disa raste mbi 12 kilometra në brendësi të territorit rus.
Të paktën një helikopter luftarak rus i modelit KA-52 është goditur dhe rrëzuar për herë të parë nga një dron “FPV”, ndërsa disa raketa kanë qëlluar një bazë ajrore ruse duke shkatërruar të paktën një avion të modelit “Su-34”.
Më shumë se 40 ushtarë rusë raportohet se janë kapur si të burgosur lufte, ndërsa ka raportime se batalioni “Akhmat” i forcave çeçene është tërhequr nga zona.
Po ashtu raportime të pakonfirmuara flasin për përfshirjen e avionëve F-16 në këtë sulm, të cilët Ukraina i mori vetëm pak ditë më parë nga Perëndimi.
Aktualisht disa fshatra janë nën kontrollin e forcave ukrainase të regjimentit “Freedom of Russia Legion”, ndër to dyshohet edhe stacioni i gazit Suja që furnizon pjesën më të madhe të Europës me Gaz.