
PRRENJAS- Një 57-vjeçar humbi jetën ditën e djeshme në fshatin Katjel të Përrenjasit, duke punuar në minierë. Mësohet se minatori Sajmir Bego, 57-vjeç, i cili ishte dhe kryetar i sindikatës së minatorëve në atë zonë, ishte duke punuar teksa një masiv minerali ka rrëshqitur dhe për pasojë ai ka humbur jetën. Sakaq ka nisur procedimi për administratorin e minierës, Gëzim Balla 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin Hysni Kllogjri 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin Gëzim Kllogjri 62 vjeç. Mbi to rëndon vepra penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.
Njoftimi i policisë
“Librazhd/Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur, në fshatin Katjel, ku gjatë punës në minierën e kromit ka rrëshqitur një masiv minerali, dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi S. B., 57 vjeç, grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë ka vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e minierës, shtetasin G. B., 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin H. K., 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin G. K., 62 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.”