
Fitim Dumani, vëllai i vogël i Nuredin Dumanit, rrëfen për MaShqip me Flamur Vezaj vrasjet e vëllait të tij, duke dhënë detaje dhe emra për ngjarje të caktuara, për të cilat ai është penduar dhe ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë nën mbrojtjen e SPAK. Sipas Fitimit, i cili vetëm pak kohë më parë është liruar nga burgu, vëllai i tij nuk ka qenë “ushtar” i asnjë grupi kriminal, por një vrasës i kontraktuar nga grupe të ndryshme kundrejt pagesës.
Në episodin e tretë të MaShqip, gazetari Flamur Vezaj publikon edhe foto ekskluzive të deklaratës personale të Nuredin Dumanit, ku ai tregon të kaluarën e tij, si punëtor ndërtimi, mirëmbajtës shezlongësh, shitës i fruta-perimeve, grabitës dhe më pas vrasës me pagesë. Nga ana tjetër, Fitim Dumani tregon se vëllai i tij nuk donte të dorëzohej dhe po priste kirurgët nga Tirana për ta operuar, pas pritës që i bëri Suel Çela. Por e gjeti dhe e arrestoi policia përmes telefonit që Çela i kishte dhënë para atentatit. Sipas Fitimit, Nuredini pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë pasi u tradhtua nga të gjithë shokët e tij dhe filloi të flasë, duke treguar pazaret, takimet dhe ngjarjet ku kishte marrë pjesë si autor apo bashkëpunëtor.
Në dëshminë e tij, ai ka përfshirë edhe vëllain tjetër, Dashnor Dumanin, i cili sipas Fitimit, ende nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.