
Florjan Binaj, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita për garën në Bashkinë Tiranë, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses për të pezulluar vendimin për shkarkimin e Veliajt dhe dekretin e Bajram Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në kryeqytet më 9 nëntor.
Në një reagim në rrjetet sociale, Binaj thekson se kurdo që të caktohet dita e votimit, ai do të marrë pjesë.
“Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim”, shkruan ai, ndërsa shton se partia më e rëndësishme dhe më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve.
“Miqtë e mi, Zgjedhjet e pritshme në Tiranë janë vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë që po nisim. Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim.
Deri atëhere ju ftoj të punojmë çdo ditë për të ndezur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimin tek politika e ndershme, tek politika e punës, besimin se pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të punojë vetëm për qytetarët. Partia më e rëndësishme, partia më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve”, shkruan Binaj.