JiL.al - Jeto i Lumtur

Vidhnin ATM në Tiranë me karta të klonuara, në kërkim tre rumunë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në një konferencë për mediat ku renditi një sërë rastesh të krimeve kibernetike, të cilat lidhen kryesisht me shantazhimin e vajzave të mitura me publikimin e imazheve apo videove intime në profile të krijuara në rrjete sociale, kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u ndal edhe te dy raste të vjedhjes nga ATM me karta të klonuara.

Rasti i parë lidhet me operacionin e koduar “Goldish Axe”, gjatë të cilit u dokumentua ligjërisht veprimtaria kriminale e 3 shtetasve rumunë, të cilët kanë arritur të vjedhin para nga ATM-të në Tiranë.

“Me anë të prodhimit të kartave të kreditit të klonuara, kartave të kreditit të vjedhura dhe duke dëmtuar bankomatë të ndryshëm, për të ndërhyrë më pas në sistemet e tyre kompjuterike, kanë vjedhur shuma të ndryshme monetare, në institucione të ndryshme financiare që operojnë në qytetin e Tiranës.”

Gjatë hetimeve të këtij operacioni policor, janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore 4 vjedhje të kësaj natyre dhe 2 të tjera të mbetura në tentativë.

Vocaj sqaroi se policia shqiptare po bashkëpunon me Interpolin për të realizuar kapjen e këtyre shtetasve.

Rasti i dytë është thuajse i ngjashëm, pasi në kuadër të operacionit “Virtual shade”, është ndaluar 25-vjeçari Lorent Granica, me shtetësi franceze, i cili gjatë qëndrimit në Tiranë, nëpërmjet kartave virtuale bankare të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës, ka kryer pagesa të ndryshme në institucione financiare që operojnë në vendin tonë.

Scroll to Top