
Tre muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, ku u aplikua për herë të parë vota e diasporës, proces historik që u krye përmes postës, kompania DHL që bëri shpërndarjen e fletëve të votimit, nuk ka marrë ende asnjë pagesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kompania postare ka prerë faturat për shërbimin e plotë prej 9.2 mln euro për 245 mijë votues jashtë vendit, por KQZ po kontrollon nënshkrimet e marrjes së zarfeve, për të parë në ç’masë është zbatuar kontrata.
Pas procesit që është shoqëruar me shumë polemika për mënyrën si u shpërnda zarfi tek emigrantët, KQZ konfirmoi për Report Tv se tashmë ka nisur verifikimi nëse janë respektuar kushtet e kontratës.
KQZ thotë se raporti i zbatimit të kontratës së DHL ende nuk është gati për shkak të volumit të mëdha të të dhënave që duhen përpunuar, por edhe për faktin se stafi u angazhuar edhe në procesin e rinumërimit që zgjati deri në muajin korrik.
“Ju informojmë se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka disbursuar ende asnjë pagesë ndaj kontraktorit. Gjithashtu, raporti i zbatimit të kontratës nuk është finalizuar për shkak të vëllimit të madh të të dhënave që kërkojnë përpunim dhe angazhimit të stafit në procesin e numërimit/vlerësimit të votave nga jashtë vendit, trajtimit të ankimimeve, si dhe procesit të rinumërimit në vijim”,-tha KQZ në një përgjigje zyrtare për Report TV.
202 mijë zarfe mbërritën në KQZ për zgjedhjet e 11 majit, nga 227 mijë që mbërritën deri te zgjedhësit. Për të bërë ‘auditimin’ e kontratës KQZ do duhet të verifikojë një më një të gjithë zarfet që mbërritën në Shqipëri, nëse e kanë firmën e zgjedhësit. Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar më herët se nuk do të paguajë për ato zarfe që nuk kanë firmat e zgjedhësve sepse kanë munguar garancitë që zarfin e ka marrë personi i duhur.
Procesi i shpërndarjes së zarfeve të votimit te diaspora u shoqërua me shumë polemika, sidomos në Greqi. PD e akuzoi kompaninë se në bashkëpunim me socialistët, nuk i shpërndau zarfet sipas kontratës, por shkuan te zgjedhësit pa firmë e karta identiteti. Jo pak herë, edhe socialistët kritikuan mënyrën e shpërndarjes së zarfeve në Greqi.