Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Shefki Bylykbashi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” si dhe shtetasen H.B. për kryerje të veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/ i Kodit Penal.
Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit për procedimin penal nr.126/2023, rezulton e provuar se në datën 17.02.2023, rreth orës 16:00, është marrë njoftim se në Urgjencën e Spitalit Rajonal Korçë, ishte transportuar me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore shtetasi Hamdi Bylykbashi, me dëmtime në pjesën e kokës. Ky shtetas, pak çaste më vonë, ka ndërruar jetë në ambientet e reanimacionit të këtij spitali. Sipas pretendimeve të para të familjarëve, ai ishte rrëzuar dhe kishte vrarë kokën, në oborrin e banesës, duke qenë në gjendje të dehur.
Nga veprimet hetimore, rezultoi se ngjarja e paraqitur si aksidentale, në fakt ishte ngjarje kriminale dhe në orën 02:00, të datës 18.02.2023, u bë arrestimi në flagrancë i babait të viktimës, shtetasit Sh. B., si i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale, konkretisht “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal”, i cili pranoi autorësinë e krimit.
Është marrë deklarim nga shtetasia H.B., mamaja e viktimës, e cila ka deklaruar se i biri është kthyer nga Franca pasi është divorcuar me të shoqen dhe që atëherë konsumonte shumë alkool. Ajo ka qenë me bashkëshortin në banesë kur ka dëgjuar zhurmën e derës së oborrit. Ata kanë dalë dhe kanë parë Hamdiun, i cili ishte i gjakosur nga koka dhe ata e kanë futur në shtëpi. Çka nuk rezultoi e vërtetë.
Sa më sipër, nga tërësia e veprimev e hetimore të kryera dhe aktet e administruara në fashikullin e procedimit penal, rezulton e provuar se shtetasi Sh. B., ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, pasi me veprimet e tij aktive, të kundërligjshme, të kryera me dashje, ka vrarë djalin e tij, shtetasin H.B.
Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qënë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit.
Sa më sipër e bazuar në kërkesat e nenit 331 të K.Proc.Penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kërkoi:
– Dërgimin në gjyq të çështjes penale Nr.126/2023 me të pandehur shtetasin Sh. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal dhe me të pandehur shtetasen H. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.