
Lokali ishte me pak njerëz në momentin që është ekzekutuar me 14 plumba në gusht të vitit të kaluar Elis Rroshkodoli. Njëri prej qytetarëve që po konsumonte kafe në lokalin që ndodhej viktima ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.
Sipas dosjes së siguruar I.I. ka deklaruar se: “Banon në lagjen “Ahmet Haxhia” dhe rreth orës 10.30 ka shkuar i vetëm për të pirë kafe tek lokal “Gjuetari”. Kur ka mbërritur tek lokali është ulur i vetëm në krahun e djathtë të verandës së jashtme, me fytyrë nga hyrja e lokalit.
Kujton që tek pjesa e jashtme e verandës, në krahun e majtë të pjesës së brendshme të verandës, kanë qenë të ulur dy shtetas. Njëri nga shtetasit ishte një djalë i dobët, me kapele, me bluzë me krahë të shkurtra (djali që i shpëtoi atentatit), ndërsa shtetasin tjetër (që ka mbetur i vrarë) nuk e ka fiksuar në karakteristika, pasi ishte në profil me të. Njerëz të tjerë të ulur në verandë nuk kishte.
Pasi është ulur ka qenë duke luajtur shah në telefon. Në një moment ka dëgjuar krisma, ka ngritur kokën dhe ka parë që një person i veshur me rroba me ngjyrë midis kafes dhe të zezës po gjuante me armë në drejtim të shtetasit që ka mbetur i vdekur. Pasi ka vrarë shtetasin që ka mbetur i vdekur, ai ka drejtuar armën tek shtetasi tjetër që ishte në tavolinë, i cili nga frika beson se ishte i shtrirë në tokë.
Në momentin që autori drejtoi armën, shtetasi i shtrirë në tokë është shprehur se nuk kishte asnjë faj dhe kishin të bënin me të. Menjëherë pas kësaj autori është tërhequr dhe është drejtuar për nga trotuari, tek është dhe hyrja e lokalit. Deklaron se mesa arrin të kuptojë ai nga situata, ishte vetëm nje autor i përfshirë në vendin e ngjarjes, pasi nga pjesa e trotuarit para lokalit dhe brenda verandës së lokalit, ka qenë vetëm një shtetas që ka vepruar.
Ky shtetas kishte të veshur rroba me ngjyrë midis kafes dhe të zezës, ishte mbi 170 cm, trup mesatar përsa i përket shëndetit. Ka fiksuar vetëm që autori ishte i maskuar. Gjë tjetër nuk kujton, pasi tregon se e ka humbur toruan nga ngjarja. Rrugën se nga erdhi autori nuk e di, pasi e kuptoi situatën vetëm në momentin që kishte krisma, pasi ka qenë duke luajtur në telefon.
Pastaj kur iku kujton që në rrugën përballë lokalit ka qenë një makinë ngjyrë e errët dhe nuk di të thotë në ka hipur në makinë apo ka ikur në këmbë, pasi nuk e ka fiksuar dot. Tregon se arma nuk ishte pistoletë, domethënë nuk ishte armë e shkurtër, ishte një armë rreth 60 cm e gjatë dhe qitjet i kishte tek e tek të gjitha.