Vrasja e Renis Dobrës, zbardhet dëshmia e Fation Bushgjokajt dhe Petrit Çakrrit në polici

Jil
Jil
3 Min Read

Fation Bushgjokaj, një prej tre vëllezërve të arrestuar për vrasjen e Renis Dobrës në Mat, ka dhënë dëshminë para grupit hetimor.

Ai ka pranuar se me 23-vjeçarin janë njohur në Gjermani dhe kanë punuar në aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike.

Megjithatë, ai mohon të ketë lidhje me vrasjen e tij, duke theksuar se nuk ka asnjë përfshirje në ngjarje, por pranon konfliktet dhe sherret që ka pasur më parë me viktimën.

Nga ana tjetër, Petrit Çakrri pranon pjesërisht se ditën e ngjarjes ka qenë në zonën ku ndodhi krimi.

Sipas tij, ai nuk e njihte personalisht viktimën dhe pohon se nuk ka lidhje me ngjarjen, as nuk e dinte çfarë kishte ndodhur.

Çakrri ka deklaruar se i vetmi nga vëllezërit Bushgjokaj që njihte ishte Kristi Bushgjokaj, i cili aktualisht është në kërkim nga policia.

Ai ka sqaruar se me Kristin është njohur në burg dhe marrëdhënia e tyre kishte vazhduar edhe pas daljes.

Sipas dëshmisë së tij, Çakrri thotë se ishte takuar me vëllezërit Bushgjokaj pasi ata i kishin thënë se do të dilnin në zonë për të kërkuar një sasi droge nëpër fshatra.

Gjatë rrugës, sipas tij, janë ndarë në dy makina. Ai ka treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave të sigurisë të analizuara nga policia.

Megjithatë, Çakrri mohon çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se nuk e di çfarë ka ndodhur me Renis Dobrën.

Ai ka shtuar se në një moment, vëllezërit Bushgjokaj janë futur në një tjetër makinë, që sipas grupit hetimor, mendohet të jetë automjeti i 23-vjeçarit.

Më pas më thanë “ik tani”, ka treguar më tej Çakrri. Në lidhje me atë çfarë kishte ndodhur me Dobrën, ai shprehet se e ka marrë vesh vetëm nga mediat.

Një ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin.

Ndërsa në kërkim shpalli dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn.

Sipas Policisë së Dibrës, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.

Renis Dobra 23 vjeç u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti pa rënë./shqiptarja.com

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania