
Pak kohë më parë përfunduan me sukses Ekspozita e 4-t Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL) dhe Panairi Ndërkombëtar i Mallrave të Konsumit i Kinës, që promovuan shkëmbimet ekonomiko-tregtare midis dy palëve.
Në ekspozitën e këtij viti u shfaqën mbi 8000 lloje mallrash të përzgjedhura prej vendeve të EQL-së, duke tërhequr mbi 3000 blerës të huaj nga 72 vende e rajone të botës.
Nga ekspozitat deri në takimet, nga bisedimet ekonomiko-tregtare deri në shtimin e investimeve, nga shkëmbimet njerëzore deri në aktivitetet e vendeve të ftuara të nderit dhe veprimtaritë tematike të provincave, Ekspozita e 4-t Kinë-Vendet e EQL-së dëshmoi bashkëpunimin dypalësh gjithëpërfshirës në fushën ekonomiko-tregtare.
Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së po ecën në një “korsi të shpejtë me dy drejtime”. Sipas të dhënave, që nga viti 2012, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së u shtua me një mesatare vjetore prej 8.8 %, ndërsa eksporti nga këto vende në Kinë u rrit mesatarisht 7.4 % në vit, duke e kaluar rritjen e tregtisë së jashtme kineze gjatë kësaj periudhe. Në vitin 2024, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në vlerën 142.3 miliardë dollarë, duke shënuar një rekord të ri historik.
Kur mbahej Ekspozita Kinë-Vendet e EQL-së, u nis nga qyteti Qingdao i provincës Shandong treni nr. 75052 i mallrave Kinë-Evropë, i cili arriti në destinacionin evropian pas 17 ditëve. Deri tani, numri i udhëtimeve me linjat e trenave të mallrave Kinë-Evropë i ka kaluar 110 mijë, ndërsa vlera e mallrave të transportuara arrin më shumë se 450 miliardë dollarë. Me anë të këtyre shifrave shfaqen gjallëria dhe potenciali i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-Evropë, që do të nxitë përparimin e këtij bashkëpunimi.
Deri tani 128 qytete kineze kanë hapur linja të trenave të mallrave Kinë-Evropë, të cilat lidhen me 229 qytete të 26 vendeve evropiane dhe me mbi 100 qytete të 11 vendeve aziatike. Kategoritë e produkteve të transportuara nga trenat e mallrave Kinë-Evropë janë shtuar në 53, duke arritur në mbi 50 mijë mallra. Produkte elektronike, pajisjet shtëpiake dhe mallrat e përdorimit të përditshëm të prodhuara nga Kina mund të arrijnë në Evropë në mënyrë më të shpejtë dhe me çmim më të lirë.
Njëkohësisht vera spanjolle, djathi holandez, mollët polake etj. hyjnë në jetën e përditshme të kinezëve nëpërmjet linjave hekurudhore. Shkëmbimi i ndërsjellë me përfitime të përbashkëta është tema kryesore e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-Evropë.