
Durrës, 23 qershor 2025– Pasditen e kësaj të hëne, në Drejtorinë e Policisë së Durrësit ka mbërritur një denoncim nga pronari i një mjeti lundrues i ankoruar në portin e qytetit, i cili ka konstatuar mungesën e jahtit të tij.
Dori Alikaj, pronari i jahtit “Tamomar 2”, ka deklaruar në polici se rreth orës 14:00 është njoftuar se jahti nuk ndodhej në vendin ku ishte ankoruar pak ditë më parë. Ai ka kontaktuar menjëherë Kapitenerinë e Portit të Durrësit dhe Policinë Kufitare, dhe më pas ka bërë kallëzim në komisariat.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve, personat që kishin marrë mjetin lundrues në tentativë për të dalë nga akuariumi janë kthyer në vendin ku jahti ishte ankoruar. Policia ka shoqëruar në komisariat personat e përfshirë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ende nuk dihet si është ndezur jahti, pasi çelësat e tij i mbante kapiteni Memet Ayhan Ulus. Burime nga policia bëjnë me dije se tre persona po merren në pyetje për të sqaruar të gjitha detajet e kësaj historie.
