Tiranë, 5 tetor 2024/noa.al- Disa të moshuar janë gjendur në mes të natës duke gdhirë kjo e shtunë, nën flakë zjarri që shkaktoi lëndimin e të paktën katër prej tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shkuan në ndihmë të moshuarve të një azili, të cilët kishin mbetur të bllokuar, pasi kishte rënë zjarr.
Gjithçka ndodhi rreth orës 00:15, kur policia ka marrë njoftim se në një azil në rrugën “Ali Visha”, kishte rënë zjarr dhe të moshuarit që akomodohen në ambientet e azilit, kishin mbetur të bllokuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bashkë me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë shkuar në adresën e dhënë dhe në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore 4 të moshuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.