
Zjarret pyjore që përfshinë Spanjën në gusht përbëjnë “një nga katastrofat më të mëdha mjedisore” që vendi ka pësuar në vitet e fundit, sipas qeverisë, e cila miratoi masa të martën për të përshpejtuar pagesën e kompensimit për të prekurit.
“Me 15 zjarre të mëdha që ende digjen në vend, “është e qartë se po përballemi me një nga katastrofat më të mëdha mjedisore në vitet e fundit”, tha Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska në një konferencë për shtyp pas një mbledhjeje të kabinetit.
“Dëmi në infrastrukturë është “padyshim i madh”, shtoi ai, duke vënë në dukje se katër persona kanë vdekur dhe më shumë se 3.5 milionë hektarë janë shndërruar në hi.
Qeveria ka shpallur gjendje fatkeqësie natyrore në zonat e prekura, me qëllim përshpejtimin e shpërndarjes së fondeve, për të vazhduar me përjashtimet nga taksat dhe për të marrë masa të ndryshme të tjera për të mbështetur banorët.
“Për t’ju dhënë një ide për shkallën e tragjedisë, gjendja e fatkeqësisë natyrore mbulon 16″ nga 17 rajonet e Spanjës”, vuri në dukje ministri, pasi vendimi ka të bëjë edhe me zonat e goditura nga përmbytjet në fillim të verës.
Qeveria e kryeministrit socialist Pedro Sanchez ka hedhur poshtë edhe një herë kritikat nga opozita, dhe në veçanti nga Partia Popullore (PP), e cila e akuzon atë për vonesë në dërgimin e ndihmës për t’u përballur me zjarret.
Në Spanjë, menaxhimi i zjarreve në pyje është përgjegjësi e rajoneve. Tre rajonet më të prekura në javët e fundit, Castile-Leon, Extremadura dhe Galicia, qeverisen nga PP.