
Elbasan, 3 korrik 2025 – Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se situata e zjarrit në landfillin e Elbasanit vijon të jetë dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore.
Mbi 100 forca të angazhuara nga Bashkia Elbasan, bashkitë fqinje dhe Forcat e Armatosura po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke përdorur 10 mjete zjarrfikëse, 20 mjete të specializuara, si dhe mjete të rënda vetshkarkuese dhe pompa thithëse me kapacitet të lartë për hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive.
Operacioni mbështetet gjithashtu nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet edhe ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore.
Agjencia thekson se punimet kanë vijuar pa ndërprerje prej më shumë se 72 orësh, me qëllim garantimin e sigurisë së komunitetit dhe minimizimin e ndikimit në ambient.
Publiku do të njoftohet rregullisht për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë situatë emergjence.