JiL.al - Jeto i Lumtur

Si të falënderoni punonjësit?

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Të vlerësohesh për punën e vështirë është një dëshirë njerëzore universale. Por shpesh, punëdhënësit e humbin mundësinë për t’u shprehur mirënjohjen punonjësve të tyre, të cilët e vënë punën në vijë.

Një studim i fundit i Workhuman gjeti se më shumë se gjysma e të intervistuarve (53%) dëshironin që punëdhënësit t’u ofronin më shumë mirënjohje për atë çfarë bënin. 31% pohuan se mirënjohja kishte ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin drejt suksesit. Thuajse një në katër persona pohuan se mirënjohja nga ana e një kolegu apo drejtuesi rrit produktivitetin.

Kërkime të tjera konfirmojnë vlerën e mirënjohjes nga ana e punëdhënësve. Sipas një artikulli të publikuar në Journal of Personality and Social Psychology, punonjësit të cilët falënderoheshin rregullisht prireshin të bënin më shumë përpjekje, të prisnin ngrohtë kolegët e rinj dhe të ndihmonin kolegët krahasuar me ata që nuk merrnin mirënjohje për punën e tyre.

“Lidhja midis përvojës së punonjësve dhe rezultateve të biznesit është e pagabueshme, siç tregojnë të dhënat tona, njerëzit më të lumtur bëjnë edhe një punë më cilësore”, thotë Yuri Brown-Cruzat, zëvendës-president, Workplace Rights i Workhuman.

Pavarësisht kësaj, shumë punëdhënës dështojnë t’u shprehin mirënjohjen punonjësve në mënyrë të vazhdueshme. Sondazhi gjeti se 72% besojnë se mirënjohja në vendin e punës promovon qëndrimin e punonjësve në kompani; më shumë se gjysma (56%) thanë se kompanitë nuk e festojnë Employee Appreciation Day (Ditën e Vlerësimit të Punonjësve). Ndër të tjera, më shumë se 25% rrallë ose kurrë bën sondazhe vlerësimi.

Edhe më keq, nga perspektiva e një force pune gjithëpërfshirëse, gratë pohuan se merrnin falënderime në një normë më të ulët se kolegët e tyre burra (përkatësisht më pak se 19% krahasuar me më shumë se 25%)

“Drejtuesit duhet ta njohin këtë pabarazi dhe të zbatojnë procese për të kuptuar më mirë nëse kjo ndodh në kompaninë e tyre”, thotë Brown-Cruzat.

Çdo mars, të premten e parë, kompanitë festojnë një festë jozyrtare Employee Appreciation Day. (Festa e Vlerësimit të Punonjësve). Këtë vit, ajo është më 5 Mars. Dhe nuk ka kohë më të mirë për të vlerësuar punonjësit.

Tri barriera për mirënjohjen e punonjësve

Nëse mirënjohja e rregullt sjell avantazhe kaq të dukshme, pse nuk ka më shumë kompani që të bëjnë hapa përpara për të falënderuar punonjësit.

Këto janë tri barrierat që mund të pengojnë rritjen e kompanisë suaj në këtë drejtim:
– Të qenët shumë i zënë
– Besimi se mirënjohja është si një përkëdhelje e egos së punonjësve
– Mendimi se mirënjohja e punonjësve duhet të jetë e ndërlikuar.

Tri mënyra për të falënderuar punonjësit

Çfarë kërkojnë punonjësit në dëshirën e tyre për mirënjohje? Rezulton se kjo nuk është shumë e ndërlikuar. Më poshtë janë tre mënyra se si t’u tregoni punonjësve vlerësimin tuaj, jo vetëm më 5 Mars, por gjatë gjithë vitit.

Mjafton të thoni faleminderit – Më shumë se 60% e të intervistuarve pohuan se thjesht një “faleminderit” dhe forma të tjera mirënjohjeje do të plotësonin nevojën e tyre për mirënjohje. Po, punonjësit paguhen për punën e tyre, por punëdhënësit duhet të kuptojnë se paratë nuk kanë të njëjtën vlerë si falënderimi. Një shprehje personale dhe njerëzore e mirënjohjes mund t’i bëjë punonjësit të kuptojnë se puna që ata bëjnë ka rënë në sy dhe është vlerësuar.

Festoni momentet personale dhe profesionale – A ka përfunduar së fundi ekipi juaj një projekt të rëndësishëm? A ka arritur dikush një moment historik në kompaninë tuaj? Po ditëlindjet dhe momentet e tjera të rëndësishme personale? Këto janë të gjitha mundësi për të festuar, për njerëzit që japin më të mirën çdo ditë në punën që bëjnë. Përqendrimi i vëmendjes në këto momente mund ta bëjë vendin e punës më familjar dhe punonjësit do të kuptojnë se ata vlerësohen përtej aftësisë për të bërë punën.

Vlerësojini ata jo vetëm me fjalë – Sipas një sondazhi, shpërblimi me një bonus ishte mënyra kryesore që punonjësit thanë se do të ndiheshin të vlerësuar (56%). Falënderimi dhe festimi i momenteve historike të punonjësve janë mënyra relativisht të lehta dhe të lira për t’u bërë të ditur punonjësve se e vlerësoni punën e tyre. Por mirënjohja, nëpërmjet një bonusi, e çon vlerësimin në një nivel krejt tjetër.

Scroll to Top