Lamtumirë Bardhyl Londo!
NË TREGUN E RREFUGJATËVE
Në tregun e rrefugjatëve
këpucë po bleve,
ato do të të çojnë vetëm në vise të trishtura
Po bleve magnetofon, ai vetëm do të qajë.
Në tregun e rrefugjatëve ,
tensioni do të të ulet.
Ndaj mos harro,
merr gjithmonë një të afërm
nga krahu të të mbajë.
Në tregun e rrefugjatëve
mos bli kurrë ëmbëlsira,
vetëm kafe bli, kafe të hidhur.
Mos pyet kurrë për çmimet,
(si ta çmosh vallë dhimbjen, lotin, mallin?)
Dhe mos harro,
sa herë të kthehesh nga tregu i rrefugjatëve,
dy herë puthe vajzën,
dy herë djalin.
Kujdes kur të hedhësh hapat në tregun
e rrefugjatëve.
ngadalë mbi zemra shkel
mbi dashurinë.
Dhe mbi të gjitha,
sa herë të shkosh në tregun e rrefugjatëve,
të lutem,
mos harro të mbash në xhep
trinitrine…
Bardhyl Londo
Jeto I Lumtur