KOÇI PETRITI: DASHURIA…

Jil
Jil
1 Min Read

KOÇI PETRITI: DASHURIA…

Ish një vajzë e ish një djalë,
vajza e donte e djali e donte,
po Shkumbini i madh me valë
i kish ndarë e s’i bashkonte.

Dhe thërrisnin: O o o, të dua!
po kjo klithmë e lashtë fjalësh
u dëgjohej: Jooo, s’të dua!
nëpër thashetheme valësh.

E humbisnin të dy shpresën
e shpresonin prap më tepër,
siç humbet dhe drita vesën
dhe e gjen mëngjesin tjetër.

Ooo, të duuaa, nisej fjala,
Jooo, s’të duuaa, mbërritne zallit,
vajza thosh: Më piftë vala!
Të përpiftë!, i vinte djalit.

Bot me buzë, bot me duar
anës dallgëve ndërkryer,
herë për jetë dashuruar,
herë për vdekje të zhgënjyer.

Hidhnin fjalën ta kalonin,
shprishej porsi plisi i kumit,
hidhnin gurin të qëllonin,
binte mu në mes të lumit.

Një çast lumi s’ish më lumë
mes dy brigjeve të mallit
dhe u bind e ra në gjumë
dhe u hap e fjeti zallit.

Rendi vajza e rendi djali
sa u ngrit një erë e marrë,
që rrëzoi shkëmbinj nga mali
e një breshër që s’ish parë.

Zgjatën duar, vunë gurë,
shtruan dhimbjet që nuk thuhen
gjer mbi lumë u bënë urë,
të kalojnë ata që duhen.

Koci Petriti

Jeto I Lumtur.al

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *