JiL.al - Jeto i Lumtur

Mateu Lahoz, nga rekordi në rekord. 34 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq në dy ndeshjet e tij të fundit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Antonio Mateu Lahoz ka qenë gjithmonë një arbitër special. 45-vjeçari nga Valencia drejton ndeshjet në La Liga që nga sezoni 2007-2008 dhe përveç kësaj është arbitër i FIFA-s që nga fillimi i vitit 2011. Një karrierë e gjatë që nisi gati 25 vite më parë në kategorinë e tretë spanjolle.

Mateu Lahoz ka qenë gjithmonë i ndryshëm për disa arsye, ndër të cilat binte në sy marrëdhënia e tij me lojtarët (gjithmonë në dialog me ta para, gjatë dhe pas ndeshjeve) dhe gjithashtu mënyra e arbitrimit larg nga rigoroziteti në veprime të caktuara ose, siç është zakon, të themi në zhargonin e futbollit, “le të luajmë”. Megjithatë, kohët e fundit gjithçka ka ndryshuar.

Po t’iu hedhim një sy dy ndeshjeve të fundit zyrtare që ka arbitruar Mateu Lahoz, do të mbeteni me “gojë hapur”. Në çerekfinalen Holandë-Argjentinë të Botërorit të fundit në Katar, Mateu Lahoz ka treguar gjithsej 17 kartonë të verdhë dhe një të kuq (ky i fundit rezultat i dy kartonëve të verdhë).

Një paraqitje që e bëri atë të thyente rekordin historik të Kupës së Botës, ku një numër i tillë kartonësh nuk ishte akorduar kurrë më parë. Në fakt, kapiteni i Argjentinës, Leo Messi ishte shumë i ashpër me arbitrin spanjoll pas ndeshjes:

“Nuk dua të flas për arbitrin, sepse nuk mund të jem i sinqertë. Nëse flas si duhet, atëherë do të më sanksionojnë. FIFA duhet të mendojë për këtë, nuk mund të vendosë një gjyqtar të tillë për këto raste. Nuk mund të vendosësh një arbitër që nuk është në lartësinë e tij. Ne kishim frikë para ndeshjes, sepse e dinim se si ishte”.

Gjykimi i Mateu Lahoz indinjoi Argjentinën dhe Holandën në pjesë pothuajse të barabarta, por e vërteta është se ai tashmë po mbërrinte në atë takim me rolin e titullarit në Botëror. Ai kishte drejtuar vetëm dy ndeshje të tjera dhe në to kishte treguar gjithsej 10 kartonë të verdhë, i dyti më së shumti në të gjithë turneun.

Kësaj i duhet shtuar fakti se në ndeshjen Katar-Senegal ai tregoi kartonin e parë në minutën e 20-të; ndërsa në Iran-SHBA në minutën e 43-të. Të dy kartonët e verdhë më të shpejtët në të gjithë Kupën e Botës.

Pas këtij takimi të diskutueshëm, dhe pavarësisht se FIFA e miratoi shumë performancën e tij në vendimet teknike (penalitete, faulle…), Mateu Lahoz u kthye në shtëpi, pas një tjetër pjesëmarrjeje në një turne madhor.

Disa ditë pushim për të… deri dje, kur u rishfaq në një ndeshje tashmë të nxehtë si derbi katalanas dhe në të cilin përfundoi duke i mërzitur të gjithë.

Bilanci me të cilin Mateu Lahoz e përfundoi Barcelona-Espanyol ishte si më poshtë: 17 kartonë të verdhë, 2 të kuq (të dy, rezultat i dy kartonëve të verdhë) dhe një tjetër përjashtim i korrigjuar me VAR. Si mund të ishte ndryshe, një rekord në historinë e futbollit spanjoll, i dyti për të në vetëm 21 ditë.

Mateu Lahoz ka qenë një arbitër dialogu jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Në fakt, është gjithnjë e më e zakonshme ta shohim atë në intervista dhe madje edhe në disa programe të njohura televizive (El Hormiguero, për shembull), në të cilat ka dhënë vizionin e tij të veçantë se çfarë është dhe çfarë duhet të jetë arbitrimi në futboll.

Madje, në një intervistë në gazetën “Las Provincias”, Mateu doli në pah për dëshirën e sigurt për t’u shquar, për të cilën shumë e fajësojnë. “Është diçka që unë nuk e kontrolloj. Nuk kam asnjë rol kryesor, por jam i dashuruar me futbollin, e përjetoj atë në vetën e parë. E ndjej, ndaj nuk do të ndryshoj asgjë se si e jetoj profesionin tim, që është pasioni im”.noa.al

Scroll to Top