JiL.al - Jeto i Lumtur

Si ta menaxhoni zilinë në punë?

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Të gjithë në momente të caktuara e ndiejnë zilinë. Ky është një emocion i natyrshëm i njeriut, i cili nganjëherë mund të vërshojë dhe t’jua shkatërrojë reputacionin e mirë që e keni në punë. Në disa raste ju mund të jeni objekt i zilisë së dikujt, e në raste të tjera mund të jeni ju ata të cilët xhelozojnë për dikë. Të kuptuarit se si ta menaxhoni zilinë nuk është diçka e lehtë por është e domosdoshme.

Ku është dallimi në mes të zilisë dhe xhelozisë?

Mund të duken si dy ndjenja të njëjta por në fakt nuk janë. Me xhelozi nënkuptohet kur ju keni diçka (zakonisht raport me dikë) dhe, ndiheni të kërcënuar nga humbja e saj nga pala e tretë.

Ndërsa, zilia është dëshira për të pasur diçka që dikush tjetër tashmë e ka.

4 hapa të thjeshtë për të menaxhuar zilinë

Pranojeni

Përpara se ta bëni diçka që do ta prishte situatën, është mirë të vetëdijësoheni që jeni duke ia pasur zili dikujt. Zotëroni ndjenjat nëse doni t’i menaxhoni ato! Është në rregull ta dëshironi suksesin e kolegut/koleges për vete, por duhet ta konfrontoheni ndjenjën e zilisë, përpara se ajo të kthehen në pakënaqësi.

Urojeni kolegun/kolegen

Pjesë e të qenët kolegë të mirë është edhe t’i festoni arritjet e grupit në vend që t’i merrni ato si gjëra që jua nxisin konkurrencën. Ta zëmë që një koleg i juaji u ngrit në pozitë, në vend që ta hani veten pse nuk ishit ju ai, më mirë urojeni përpara të gjithë kolegëve të tjerë. Ky është një lloj veprimi që jua forcon lidhjet me atë koleg, madje nëse në të ardhmen do ta merrni ndonjë promovim edhe ju, do ta keni përkrahjen e tij.

Performuesit më të mirë në punë, të jeni mentorët tuaj

Një strategji e shkëlqyeshme, për ta luftuar zilinë është që t’i trajtoni personat që kanë arritur si mentorë potencialë në vend të kundërshtarëve. Kjo ju ndihmon që t’i rrisni aftësitë, po ashtu edhe reputacionin e rrjedhimisht edhe mundësitë për të arritur edhe ju.

Mbajeni jetën e punës jashtë nga jeta personale

Zilia e punës mund t’ju përfshijë edhe jetën jashtë punës nëse nuk arrini ta menaxhoni përpara kësaj. Një studim nga Universiteti Cincinnati Lindner, gjeti që ndjenjat negative nga zilia në punë, punonjësit i marrin edhe në shtëpi gjersa ushqehen, flenë, zgjohen e të gjitha veprimet e tjera ditore, duke mos i lënë ata të jenë produktivë në kohën e tyre më të mirë. Mos e lejoni këtë të ndodhë! Ndani gjërat!

Nëse jeni objektiv i zilisë së dikujt

Vlerësoni fajësinë tuaj

Nëse mendoni që kolegu është ziliqar ndaj jush, filloni duke e shikuar “veten në pasqyrë”! Mbase i keni ju fajet që po silleni sikur personi që di gjithçka, që po e lajkaton shefin, ose po i tregoni meritat me zë të lartë.

A po e pyesni veten se çfarë të bëni në këtë rast? Kujdes mos tregoni që keni darkuar me shefin, mos tregoni fjalë admiruese të shefit ndaj jush dhe mos flisni gjëra që nxisin zilinë në sytë e kolegëve.

Përballuni me kolegun

Zilia i shtyn njerëzit të sillen keq, që do të thotë se, mund të bëheni viktimë e thashethemeve apo edhe e sabotimit. Flisni ballë për ballë me personin!

“Në takimin e sotëm u dukët i irrituar me mua. E vlerësoj shumë raportin që kemi mes vete, prandaj dua të di nëse ka diçka që nuk shkon”.

Mos përdorni tonin që ju bën të dukeni se po konfrontoheni! Pyesni nëse keni bërë diçka që i ka ofenduar dhe si mund ta rregulloni! Në shumë raste biseda e qetë i zgjidhë gjërat me shumë lehtësi.

https://jetoilumtur.al/

Scroll to Top