Të gjithë sot po flasin për arrestimin nga policia në Rinas të Kleviol Ahmetit, i njohur nga të gjithë si Cllevio, pasi është denoncuar nga Noizy. Kjo ngjarje erdhi si pasojë e ofendimeve dhe kërcënimeve të bëra vazhdimisht nga Cllevio nëpër rrjete sociale, të cilat kanë thyer rekorde shikueshmërie sa herë që përmendte emrin e Noizyt. Reperi është distancuar shumë nga sherret dhe mesa duket me vendimet e tij të fundit, ai vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së tij në një intervistë në vitin 2022, ku tha se përplasjet fizike me kolegët e tij janë diçka që ai do të donte ta fshinte nga biografia.
Për Noizyn flasin faktet dhe veprat. Atë nuk e njohim për këngët e tij, famën që ai tashmë ka krijuar si një ndër personazhet më aktiv në skenën shqiptare, apo dhe sherret që shpeshherë e kanë përdorur si emër vetëm për t’i ‘grabitur’ famën. Por një anë tjetër e reperit nga Durrësi është dhe zemra e tij e madhe, sidomos kur bëhet fjalë për fansat. Noizy është një prej reperëve në trojet shqiptare që ka më shumë admirues të flaktë. Ai pëlqehet jo vetëm për këngët që bën por dhe për stilin që ka. Këngëtari, fama e të cilit ka kapur majat, është dalluar dhe për marrëdhënien shumë të ngushtë që ka me fansat. Ai mundohet herë pas here që t’i surprizojë.
Kohët e fundit vëmendjen e reperit e ka marrë një nga fansat e tij më të veçantë dhe më të zjarrtë që mund të keni parë ndonjëherë. Nëse mund të flasim për këngët, koncertet apo për historitë e Noizyt, me siguri që Arbri Bogdani zë vendin e parë me informacionet që ka mbledhur prej vitesh.
Vetëm 21 vjeç, Arbri është një djalë me aftësi të kufizuara, i cili pavarësisht karriges me rrota është munduar që të ndjekë ëndrrat dhe dëshirat që atë e bëjnë të lumtur.
Ai është bërë viral në rrjetin social “Tik Tok” nga videot që poston me këngët e Noizyt. Madje fotografia e artistit të njohur shqiptar qëndron si poster në murin e tij. Momenti fantastik për Arbrin erdhi kur reperi i shpërndau së fundmi një nga videot e tij në rrjetin e tij social “Instagram” që ndiqet nga 2.2 milionë njerëz. “KING ARBRI THIRRE KAPITEN”, ishte mbishkrimi i Noizyt në videon që po thyen rrjetin.
Por gëzimi në fytyrën e Arbrit nuk ishte asgjë në krahasim me surprizën e dytë të madhe që mori gjatë një video live në “Tik Tok”. Noizy e përshëndeti “live” duke i dërguar madje dhe një dhuratë “simbolike”.
Surpriza nuk ishte me aq, pasi në fund reperi e fton në koncertin “Alpha Show 2” që do të mbahet më 4 gusht. Arbri me pozitivitetin e madh që e shoqëron e ka fituar një vend të veçantë në zemrën e Noizyt pasi në çdo koncert të tij reperi e ka deklaruar vetë se biletën e ka falas dhe në këtë koncert Arbri këtë herë do e ketë një vend të posaçëm, apostafat që Noizy do të krijojë për personat me aftësi të kufizuar.
Kjo nuk ishte hera e parë që Arbri ka rënë në sytë e reperit. Në koncertin e parë “Alpha Show”, Arbëri i tërhoqi vëmendjen këngëtarit nëpërmjet një videoje të publikuar në gusht të vitit 2022 ku shihet të performojë në publik gjatë kohës që reperi ndodhej në skenë.
“Arbër, si je vëlla! Uroj të jesh mirë. Këtë video e bëj për ty, për të treguar se kam shumë dashuri. Të falenderoj që ekziston. Nuk të kisha njohur por me anë të postimeve dhe tags pas koncertit, arrita të njoh energjinë tënde teksa performoje me mua dhe Dudën. Do të doja të të bëj një dhuratë sadopak të vogël. Në çdo koncert të Alpha-s nga sot do të kesh biletën falas dhe një vend apostafat, special vetëm për ty. Uroj të ta bëjë Zoti ditën një mijë dhe të kesh mbarësi bashkë me familjen tënde. Të dua shumë vëlla, trego kujdes për veten tënde”, ishin fjalët e tij. Edhe këtë herë Noizy tregoi anën e tij ndryshe, të një artisti me zemër të madhe. Përveç kësaj, nëse hyni në profilin e “Tik Tokut” të Arbrit dhe ju do të bëheni njerëz më pozitivë dhe më të lumtur vetëm duke dëgjuar dhe shijuar postimet plot energji të krijuara nga ai që po thyejnë rrjetet sociale.