Tensionet në kufi/ Tërhiqet policia dhe kryekomunarët, serbët hidhen sërish në sulm

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Mëngjesi i së martës përsëri i gjeti protestuesit serbë para komunave veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.


Tensioni ishte i dukshëm në Zveçan, ku pas përplasjeve të një dite më parë, perimetri i sigurisë nga KFOR ishte zgjeruar.

Me gjithë provokimet e ofendimet, situata u përcoll e qetë deri në shpërndarjen e protestuesve në orën 16:00 të pasdites me urdhër të Listës Serbe.


“Protestat e serbëve do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave, përkatësisht tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, ashtu si edhe kryetarëve shqiptarë”, u shpreh Sllagjan Miloslavleviç.

Megjithatë situata ishte e tensionuar në Leposaviq ku në vazhdimësi është penguar puna e gazetarëve që edhe i sulmuan e pastaj ua demoluan veturat e mjetet e punës.


Ndërkohë më të përmbajtur u treguan protestuesit në Zubin Potok, të cilët hapën vetëm tenda dhe i mbyllën ato që në orën 15:00.

Për shkak të pamundësisë për të shkuar në komunë, kryetarët shqiptarë të Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë punuar nga zyrat për komunitete në fshatrat e banuara me shqiptarë.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci thotë se punën do ta zhvillojë nga zyra për komunitete në fshatin Kelmend.

“Për shkaqe sigurie, nuk kemi dashtë të bëhemi pjesë e asaj trazire. Jemi vendosë këto, është pjesë e komunës”, tha kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Ai thotë se do të kthehet në objektin zyrtar të komunës së Zveçanit kur të jetë e sigurt që ta ushtrojë detyrën nga aty.

Serbët do të vazhdojnë protestat në orën 7:30 të mërkurën.

LEXO TË RADHËS

Scroll to Top