Pse nuk garon me Lulin për vulën? Demokrati lë pa fjalë Sali Berishën
Sali Berisha nuk pranon që të futet në garë me Lulzim Bashën për postin e kryetarit të PD-së. “Mund të më pyesje, një garë mes meje dhe Ramës në PD. Kaq është e ngjashme” ishte përgjigja e Berishës, kur u pyet nga një qytetar gjatë bashkëbisedimit online.
Ish-kryeministri më tej tha se Basha është peng i Edi Ramës, pasi “i mbylli dosjen e lobimit në SHBA, ku i gjeti lekët, nuk i ka treguar”. Qeveria Rama i çoi një tjetër mesazh. “Lëvizje të fuqishme, mos bindje civile që të mbrojmë votën e shqiptarëve”.
Berisha kishte një thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar lidhur me krizën në Kosovë. “Edi Rama propozoi, jashtë çdo lloj kodi, në një ndërhyrje flagrante në punët e një vendi, projektin e të ashtuquajturit Asociacion.
Pa asnjë tagër, pa asnjë autoritet. Ky projekt sigurisht u hodh poshtë nga të gjitha forcat politike të Kosovës. Pasi Kosova nuk e pranoi atë, u detyrua dhe padroni i Ramës të thotë se ai nuk na përshtatet.
Por, Edi Rama atë projekt e mori nga sivëllai i tij, padroni i tij Vuçiçi. Përveç projektit, ai përdori një gjuhë ndaj Kosovës, që Putini do ia kishte lakmi. Kosova do kthehet në kohën e bronzit, tha.
Ne kemi mbajtur qëndrimet tona, por shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos rëndojë krizën me Edi Ramën sepse angazhimi i tij, jo që nuk lehtëson, por rëndon krizën në veriun e Kosovës, të krijuar para se gjithash nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç.
Ai kërkon me çdo kusht që ato komuna, pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, t’i ketë të qeverisura prej tij. Sikundër u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për bashkërendim dhe bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA” tha ai.