JiL.al - Jeto i Lumtur

16 pushtetarë të lartë nën hetim për pastrim parash nga SPAK

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Janë të shumtë ata që mbrohen duke thënë se nuk kanë kryer asnjë aferë apo se nuk ka prova për emra të caktuar. Por ka një element që mund t’i fundosë të gjithë dhe ajo është pasuria. Ndërkombëtarët kërkojnë me ngulm që të luftohet korrupsioni dhe nëse deri në fund të vitit nuk ka “peshq të mëdhenj” në rrjetë, atëherë do të ketë bllokim të negociatave të BE, pasi Shqipëria e nis me kapitujt e drejtësisë dhe e përfundon po me zhdukjen e korrupsionit. Sipas informacioneve, SPAK po merr ndihmë nga institucionet shqiptare, por edhe nga SHBA-BE, të cilat po kërkojnë të godasin të korruptuarit. Nëse shihen strategjitë antikorrupsion për Shqipërinë, përcaktohet qartë roli i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Ky organ ka hyrë në lojë fuqishëm duke nisur një valë kallëzimesh ndaj gjyqtarëve, prokurorëve kryebashkiakëve dhe politikanëve të lartë. ILDKPI ka bërë me dije se ka dhjetëra emra nën vëzhgim. Dosjet shkojnë te Krimet e Rënda, por në këtë rast bëhet fjalë për zyrtarë të lartë dhe kjo është kompetencë e SPAK. Në raportin e ILDKPKI të vitit 2022 që ka siguruar gazeta “SOT”, thuhet se ky institucion ka vendosur në dispozicion të SPAK të gjitha pasuritë mbi hetimet e nisura për pushtetarët e korruptuar. Sipas raportit, bashkëpunimi i shtua pas marrëveshjes që këto institucione arritën më datë 30 mars 2022.

16 pushtetarë të lartë në shënjestrën e SPAK

Raporti  i  ILDKPKI zbulon se SPAK ka kërkuar pasuritë e 16 pushtetarë të lartë nga dosjet që po heton. ILDKPI bën me dije se Prokurorisë së Posaçme i janë vendosur në dispozicion dokumentacionet e kërkuara brenda afateve kohore. Gjithashtu thuhet se janë forcuar dhe lidhjet me ndërkombëtarët, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm në zbulimin e parave të pista. “Në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar, krahas vijimit të marrëdhënieve të ngushta dhe të frytshme me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Këshillin e Evropës në Shqipëri, Zyrën e OSBE në Tiranë, Agjencitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si USAID, Inspektorati i Lartë ka vijuar komunikimin dhe shtimin e kontakteve me zyrat homologe, apo agjencitë antikorrupsion në rajon dhe më gjerë, për të parë dhe aplikuar eksperiencat e tyre më të mira në këtë fushë”, thuhet në raportin e IDLKPI. Kujtojmë se ka shumë politikanë të lartë me dosje në SPAK. Së fundmi janë thirrur shumë zyrtarë të lartë në Prokurorinë e Posaçme dhe arrestimi i fundit i Vangjush Dakos po i tremb të gjithë.

Paratë e pista

Gazeta prej disa ditësh e ka deklaruar se agjentët e FBI në Tiranë, por dhe ekspertë të tjera ndërkombëtarë kanë filluar bashkëpunimin me institucionet shqiptare për të zbuluar llogaritë bankare të pushtetarëve shqiptarë, përfshirë ministra, ish-ministra, deputetë apo gjyqtarë dhe prokurorë. Në lëvizje janë vënë dhe disa agjenci ligjzbatuese europiane, të cilat po japin asistencë në këtë mision kaq të rëndësishëm. Siç e bën me dije dhe raporti i ILDKPI, ndërkombëtarët po ndërhyjnë jo vetëm duke dhënë asistencë, por dhe duke gjurmuar vetë paratë e pista të pushtetarëve të korruptuar në Shqipëri. Ato po i japin të dhëna autoriteteve shqiptare për të rënë në gjurmët e parave dhe llogarive që kanë dalë nga vendi ynë. Këtë e treguan dhe të dhënat e fundit nga SPAK me letër-porositë që janë dërguar jashtë Shqipërisë. Europol, Eurojust, FATF dhe Edmond Group furnizojnë me informacion drejtësinë shqiptare. Këto janë agjencitë më të rëndësishme në botë sa i takon zbulimit të parave të pista.

Scroll to Top