Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka shfuqizuar vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që nga publikimi i këtij vendimi, kishte ngritur shqetësimin për veprimin e MINT-it, dhe e mirëpret faktin që kanë përfunduar procedurat”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.
Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
ARBK-ja në bazë të akteve ligjore mori vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, deri në një vendim tjetër.
Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas këtij vendimi i kishte dhënë afat prej 30 ditëve televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.
Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009./ REL