Ndonëse monedha zyrtare në vend është leku dhe të ardhurat e pjesës më të madhe të popullsisë janë po në lekë, shqiptarët preferojnë që të kursejnë në euro.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë të përpunuara nga Monitor, tregojnë se në një vit, nga maji 2022 deri në maj 2023, kursimet në euro u shtuan me 1 miliardë euro, ndërsa ato në lekë me vetëm 4 miliardë lekë, ose 37 milionë euro më shumë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në total që kanë individët, institucionet shtetërore dhe institucionet e tjera jo publike arriti në 1.25 trilionë lekë në fund të muajit maj, rreth 11 miliardë euro, me një rënie prej 0.1% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Rënia është ndikuar tërësisht nga tkurrja e kursimeve në monedhën vendase. Depozitat në lekë zbritën në 542 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.24% me muajin e mëparshëm, ose 1.3 miliardë lekë më pak.
Tkurrja ka ardhur si nga bizneset ashtu dhe nga individët, ndërkohë që rënia e tyre është amortizuar disi nga shtimi i kursimeve nga qeveria lokale dhe https://www.jetoilumtur.al/wp-content/uploads/2010/08/triforce-wallpaper.jpgistrata publike.
Të raportuara në lekë, depozitat në valutë ishin 711 miliardë lekë në fund të majit, pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë, duke përbërë 56.7% të totalit. Por, mosrritja lidhet me faktin që të dhënat raportohen në lekë dhe si rrjedhojë “zhvlerësohen” për shkak të rënies në euros.
Të dhënat e tjera të raportuara në valutë tregojnë se depozitat në euro, që përbëjnë pjesën më të madhe të kursimeve në valutë, kanë vijuar me rritjen e qëndrueshme edhe në maj.
Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në euro në fund të muajit maj arriti në 6.6 miliardë lekë, duke u rritur me 1.7%, apo 108 milionë euro më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm. Zgjerimi ka ardhur nga të gjithë llojet e depozituesve, por më i fortë ka qenë për individët.
Me bazë vjetore (maj 2023/maj 2022), kursimet në lekë janë rritur vetëm me 0.76%, ose vetëm 4 miliardë lekë (rreth 37 milionë euro) më shumë, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet në krahasim me të njëjtat periudha të një viti më parë, kur u shtuan me 2.8%.
Shtrenjtimi i kostos së jetesës, si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të çmimeve në raport me të ardhurat dhe orientimi i një pjese të kursimtarëve drejt letrave me vlerë të qeverisë, që ofronin kthime më të larta për lekun, vlerësohet se ka qene arsyeja që ka ndikuar një tendencë të tillë.
Në të kundërt, depozitat në euro kanë vijuar rritjen me ritme të qëndrueshme, duke u zgjeruar me 18%, ose rreth 1 miliardë euro më shumë.
Vitin e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të valutës në qarkullim, sidomos monedhës euro, çka është reflektuar dhe në kursin e këmbimit, që aktualisht po këmbehet në rreth 107 lekë, në nivelet më të ulëta historike.