JiL.al - Jeto i Lumtur

Kërkoi të rrëzonte Putin nga froni, Kremlini hakmerret ndaj Prigozhinit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Grupi mediatik i kontrolluar nga lideri i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin u mbyll në atë që raportohet si hakmarrje ndaj tij për rebelimin e armatosur të 24 qershorit.  Yevgeny Zubarev, kreu i faqes së lajmeve “RIA FAN” të Prigozhinit, njoftoi vetëm se kompania po mbyllej, por pa dhënë ndonjë arsye për këtë vendim.

“RIA FAN” është faqja më e njohur e grupit Patriot Media të Prigozhinit, që në përgjithësi mban qëndrime pro-Kremlinit, duke ofruar edhe raportim pozitiv për aktivitetet e Prigozhinit e duke sulmuar rivalët e tij, si guvernatorin e Shën Pjetërburgut, Aleksandr Beglov.

Edhe gazeta e kontrolluar nga Prigozhini, “Nevskiye Novosti” në Shën Pjetërburg njoftoi se po e ndërpret publikimin. Për Radion Evropa e Lirë, kryeredaktori Andrei Krasnobayev deklaroi:

Për shkak se ne nuk mund të vazhdojmë të punojmë në internetin rus ose t’i përmbushim detyrimet ndaj partnerëve e klientëve tanë, në bashkëpunim me bordin e grupit Patriot, unë kam marrë vendimin për të ndaluar publikimin që nga 30 qershori.

Dy ditë më parë, gazeta “Kommersant” raportoi se autoriteti shtetëror i mediave ruse, Roskomnadzor bllokoi faqet e internetit të mediave të Yevgeny Prigozhinit, por pa dhënë një arsye për këto veprime.

Prigozhini dhe qindra luftëtarë të armatosur mercenarë udhëhoqën një kryengritje të shkurtër më 24 qershor, kur pushtuan qytetin jugor të Rusisë, Rostov-on-Don e kërcënuan se do të marshonin drejt Moskës.

Kriza u qetësua kur Prigozhini pranoi një marrëveshje që do ta lejonte të shkonte në emigracion në Bjellorusi dhe t’u jepte mercenarëve zgjedhjen për t’u bashkuar me të në territorin bjellorus ose për t’u integruar në ushtrinë ruse.

Prigozhini nuk është shfaqur publikisht që nga shtypja e kryengritjes së tij, por lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenko konfirmoi se gjendet në Bjellorusi.

Dje u raportua se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë anuloi një kontratë me kompaninë e hotelerisë “Concord” të Prigozhinit, që po pushonte nga puna qindra punonjës. Sipas kontratës, “Concord” siguronte ushqim për trupat ruse që luftonin në Ukrainë, si dhe për spitalet e organizatat publike në pjesët e Ukrainës nën pushtimin rus.

Scroll to Top