Ekspertja e ekonomisë, Elivar Golemi tregoi në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se si duhen mbështetur eksportuesit në një kohë kur euro ka shënuar rënie të ndjeshme.
Sipas saj çfarë është shumë e nevojshme në këtë kohë është transparenca nga ana e institucioneve.
“Ne na mungon një e dhënë statistikore që mund të mblidhet shumë kollaj nga Banka e Shqipërisë, sa është volumi i transaksioneve që bëhet në valutë në mënyrë periodike mujore. Është e rëndësishme që të bëjmë dhe dallimin mes rolit që ka secili institucion. Banka e Shqipërisë menaxhon politikat monetare dhe Ministria e Financave menaxhon politikat fiskale.
Sa i përket rolit të Bankës së Shqipërisë, po është e vërtetë, që në vitin 2018 kur filloi kjo rënie që nuk ka reshtur as tani, BSH ndërhyri dhe bleu në mënyrë të drejtpërdrejtë euro për të hequr një sasi likuiditeti euro nga tregu, por duhet të kujtojmë që në atë periudhë nuk ishte një inflacion siç është ky i sotmi dhe sot BSH ka si objektiv kryesor mbajtjen e inflacionit, pra kthimin e inflacionit në target që është jashtë objektivit të BSH-së,” – u shpreh Golemi.