JiL.al - Jeto i Lumtur

“Babi ishte me ne në makinë”/ Zbardhen detaje të reja nga atentati, nga dëshmia e djalit të Bejtjas tek ajo e kundërshtarit të tij, ja dyshimet e policisë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Këtë të mërkurë, emisioni “Në Shënjestër”, ka zbardhur detaje të reja nga atentati në Fushë-Krujë. Dyshimet e para të policisë, ishin se Bejtja ndodhej në makinë me kunatin dhe djemtë e tij, natën para atentatit, teksa mendohej se ai kishte zbritur nga aty, disa minuta para krimit.

Këto dyshime u vërtetuan si të vërteta nga grupi hetues, pas marrjes në pyetje të djalit të vogël të Gentjan Bejtjas. Ai pohoi para tyre, se babai kishte qenë me ta në makinë, pak minuta para atentatit.

“Babi ka qenë në një makinë me ne, para atentatit. Ai zbriti vetëm pak metra para se të mbërrinim në shtëpi. Nuk e di se ku shkoi”, ka thënë ai.

Por ndërsa Gentjan Bejtja është zhdukur pa gjurmë që nga nata e krimit ndaj familjes së tij, burime pranë grupit hetues, bëjnë me dije se së fundmi ai po bëhej gati të zhvendosej jashtë Shqipërisë.

Kjo me qëllim për të fituar qetësinë e munguar, në vendin ku jo vetëm kishte hapur shumë telashe, por edhe ishte futur në shumë të tilla, dhe që tashmë po kërcënonin hapur edhe sigurinë e familjes së tij.

Ashtu sikurse edhe në të vërtetë ndodhi.  Ndërsa lidhur mbi viktimën, Ramazan Sino, ai thuhet se kishte punuar për një kohë të pacaktuar si shofer në Prokurorinë e Apelit në Tiranë. Punë nga e cila nuk dihet se kur ishte tërhequr, ashtu si edhe arsyet.

Gentjan Bejtja prej më shumë se një viti kishte ikur në Hollandë, por autoritetet nuk kanë informacion që ka kërkuar azil politik atje. Ndërkohë që janë duke u kryer një sërë veprimesh hetimore për të zbuluar vendndodhjen e tij”.

Por cila është e shkuara e errët e Gentjan Bejtjas? Pse ai është bërë shpesh pre e disa atentateve të rënda? Çfarë e lidh atë me vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj dhe zhdukjen e Enver Stafukës? Po me dy ngjarje të tjera të rënda?

Ngjarja e parë në të cilën Gentjan Bejtja, del se u përfshi është ajo e vrasjes së komisarit të Policisë, Dritan Lamaj.

Ai u qëllua për vdekje më 24 shkurt 2013, në Tiranë, brenda makinës së tij, vrasje për të cilën u mor në akuzë, biznesmeni Arben Frroku. Në atë kohë vëllai i deputetit Kristiandemokrat, Mark Frroku. Gentjan Bejtja, që thuhet se bashkë me Enver Stafukën, i siguroi Arben Frrokut, makinën me të cilën kreu krimin ndaj shefit të komisariatit Nr. 6 në Tiranë, Dritan Lamaj, pas një përplasje fizike që dy të fundit, kishin pasur më herët.

Por, si Bejtja ashtu edhe Stafuka, do të shpalleshin më vonë të dy të pafajshëm, lidhur mbi këtë ngjarje, pasi gjykata vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar akuzën ndaj tyre. Por emri i Gentjan Bejtjas, shpejt do të dilte në një tjetër ngjarje. Këtë herë në atë të zhdukjes së mikut të tij, Enver Stafuka, mbrëmjen e datës 8 shkurt 2015.

Bejtja, ishte i pranishëm në takimin që Stafuka pati me disa eksponentë të rëndësishëm të krimit në Fushë-Krujë, por jo vetëm. Ai nuk foli kurrë se çfarë ndodhi me mikun e tij, i cili vetëm pak minuta pasi doli atë natë nga lokali në qendër të Fushë-Krujës, u rrëmbye nga një togë e maskuar policësh.

Rrëmbimi dhe zhdukja pa nam e nishan e mikut të tij, duket se do të ishte edhe prologu i atentateve të vazhdueshme që do të kryheshin ndaj Gentjan Bejtjas. Në shtator 2016, ai i shpëtoi mrekullisht një shpërthimi me lëndë eksplozive të vendosur poshtë automjetit të tij. Atentat nga i cili mbeti i plagosur në njërin nga këmbët, por që fatmirësisht nuk i mori jetën.

Në janar të vitit 2022, ai u bë pre e një tjetër atentati. Këtë herë në Fushë-Krujë, ndërsa po udhëtonte me makinë së bashku me Klodian Stafukën. Aty Bejtja mbeti i plagosur në krah dhe për pasojë makina që drejtonte përfundoi në kanal,  jashtë rrugës.

Por ish-polici i burgjeve, që sot po kërkohet me ngulm të vritet, del edhe në dy ngjarje të tjera. Ai thuhet se ishte ndërsa personat e fundit që komunikoi me biznesmenin Iljas Çali, para se ky të vritej mbrëmjen e 3 Prillit 2022, ndërsa po kthehej me makinën e tij nga Rinasi në drejtim të Tiranës.

“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej.

Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’. Unë i shkrova: ‘Jam tu nejt në shtëpi’ dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit”, deklaronte Bejtja.

Në dëshminë e tij, Gentjan Bejtja, tregoi edhe arsyet përse nuk kishte shkuar në varrimin e Iljas Çalit. Çali ndërkohë i kishte thënë se minierën e kishte marrë sërish në zotërim.

“Ai më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë kisha miqësi me të, por nuk kisha lidhje aq të forta me familjen e tij”, shprehej ai.

Alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishte pasur hyrje-dalje familjare, nuk iu duk edhe aq e besueshme hetuesve. Ai mendohet se nuk shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit Iljas Çalit, me qëllim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjerë nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim.

Personazhe me të cilët Bejtja thuhet se kishte krijuar konflikte dhe përplasje të lindura kohët e fundit. Po kështu Bejtja ka dhënë dëshmi edhe për atentatin ndaj Marklen Hakës, një tjetër ngjarje për të cilën ai dyshohet se qëndron pas atentatit ndaj këtij të fundit. Personazh me të cilin ndan një urrejtje të gjatë.

Ndërkohë që Bejtja thuhet se është aktualisht një prej kundërshtarëve të përbetuar edhe i vëllezërve Valter dhe Durim Bami. Edhe këta të cilësuar si ‘Të Fortët’ e fshatit Nikël në Fushë-Krujë.

Personazhe, banesat e të cilëve ishin të parat që u kontrolluan nga policia, fill pas atentatit të mbrëmjes së 4 Korrikut. Valter Bami ishte një ndër të parët që u morën në pyetje nga policia në lidhje me atentatin e fundit ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.

“Siç edhe më gjetët kam qenë në shtëpinë time në gjumë. Nuk e kuptoj përse më keni shqetësuar, pasi nuk kam përplasje apo konflikte me askënd”, ka deklaruar ai.

Scroll to Top