Nënshkruhen 13 marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë

Jil
Jil
4 Min Read

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë kanë nënshkruar të enjten 13 marrëveshje. Marrëveshjet e nënshkruara janë të fushave të ndryshme. Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se vetëm gjatë dy viteve të fundit janë nënshkruar gjithsej 41 marrëveshje me qeverinë e shtetit shqiptar. Në mëngjes, Rama njoftoi se i janë dorëzuar Qeverisë së Kosovës nënshkrimet e ministrave të Shqipërisë, për t’i finalizuar marrëveshjet, që kishin ngelur pezull nga muaji i shkuar, kur Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive.

Njoftimi i plotë nga Qeveria:


Nënshkruhen 13 marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar ditën e sotme 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe deklaratë. Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ka pasuar nënshkrimi nga ana e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.

Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale. Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy Qeverive, u nënshkruan 13 sosh, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura.

Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit.

Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore.

Një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection.

Gjithashtu, Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *