Pak makina janë të përgatitura të tejkalojnë shpejtësi të caktuara. Po kështu, pak njerëz guxojnë t’i arrijnë ato, përveç nëse janë shoferë profesionistë. Megjithatë, ajo që shihet në një autostradë belge tejkalon të gjitha pritshmëritë e mundshme dhe, në fakt, mposht çdo rekord të arritur në një makinë të Formula 1, për shembull.
Një shofer është gjobitur pasi ka arritur jo më pak se 413 km/h. Ngjarja ka ndodhur në një rrugë në Flanders dhe ndonëse policia nuk ka dhënë detaje për drejtuesin apo mjetin, mediat lokale spekulojnë se mund të jetë një “Bugatti Chiron”, i aftë për të arritur shpejtësinë 490 km/h dhe me një çmim tregu prej 2.4 milionë euro.
Rruga në fjalë ka një limit prej 120 km/h, ndaj shoferi që ka vendosur këtë rekord të pabesueshëm e ka kaluar atë “tavan” me më shumë se trefishin e shpejtësisë.
Ndonëse rasti është nën hetim, mediat belge raportojnë se gjoba mund të jetë 4000 euro dhe humbja e patentës për pesë vite. Megjithatë, duke marrë parasysh koston e mundshme të makinës që vendosi rekord shpejtësie, shoferi i saj nuk do ta ketë problem të paguajë gjobën e rëndë.