ermometri këtë të martë 25 korrik 2023 regjistroi vlerën e 44 gradë celsius në qytetin e Beratit.
Ndërsa në Elbasan termometri regjistroi vlerën e 43,6 gradë dhe në Tiranë, 43 gradë Celsius.
Megjithatë këto janë vlerat nën hije dhe jo temperaturat më të larta në ekspozim të hapur me diellin.
Ditën e mërkurë 26 pritet që temperaturat të pësojnë rënie në të dyja vlerat, ku termometri në mesditë nuk pritet t’i kalojë 38 gradë celsius.
Kjo pasi ditën e Mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, raporton noa.al duke cituar Shërbimin Meteorologjik Ushtarak.
Moti parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash mesatare deri të dendura.
Në veri do të jenë prezente reshje të dobta shiu, të izoluara në relievet malore.
Me tërheqjen e temperaturave përvëluese, problematike do të jetë era, që do rrezikojë përhapjen e flakëve në vatrat e aktivizuara në Fier dhe Vlorë.
Parashikohet që të mërkurën dhe të paktën deri në ditën e premte të fryjë një erë mesatare dhe në momente të veçanta edhe e fortë duke sjellë probleme në zonat në të cilat ka vatra zjarri.
Era do të fryjë me drejtim në kuadratin e perëndimit me shpejtësi mesatare 1-8m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet relativisht intensive me shpejtësi deri 14m/s duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 2-4 ballë.
Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 20 deri 33°C
në zonat e ulëta 20 deri 37°C
në zonat bregdetare 25 deri 35°C
Muaji Gusht pritet të vijë me temperatura të nxehta, por jo kaq ekstreme sa i përjetuam këtë Korrik.