JiL.al - Jeto i Lumtur

Çfarë do të ndodhë me motin gjatë fundjavës

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një ciklon i dobët i shtresave të larta erdhi këto ditë në territoret tona dhe në disa vise shkaktoi reshje dhe furtuna kalimtare veçanërisht në disa zona të Shqipërisë dhe më rrallë në disa vise të Republikës së Kosovës. Cikloni ishte i dobët, megjithatë ndikimi i tij në shtetet fqinje ishte mjaft i madh sidomos në Serbi ku dy ditët e fundit u shënuan reshje shumë të mëdha nga një sistem i fuqishëm i cili u bllokua në verilindje të Serbisë duke kushtëzuar reshje të mëdha për një kohë të gjatë. Deri afër 100 litra shi për metër katror u regjistruan në një rajon në verilindje të Serbisë ku pati edhe vërshime.

Rrebeshe dhe furtuna kalimtare, të izoluara u regjistruan në Shqipëri (pardje) dh e Mal të Zi, ndërsa më pak në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.

Gjatë ditëve të ardhshme do të vazhdojë të mbajë mot i nxehtë por i ndryshueshëm. Përpos nxehtësisë dhe diellit në territorin e Republikës së Kosovë dhe pjesërisht edhe në Shqipëri do të ketë gjasa për zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë orëve të pasdites së të premtes dhe të shtunes. Kjo do të shkaktohet nga ardhja e sërishme e një mase jo-stabile ajrore. Edhe kësaj radhe reshjet do të jenë krejtësisht të lokalizuara. Përderisa një rajon përfiton rrebesh të fortë shiu, rajone tjera jo shumë larg përfitojnë ndonjë rigë ose asnjë pikë shiu.

Gjatë fundjavës presim rritje të mëtutjeshme të temperaturave sidomos të dielën. Pra, vazhdon mot veror, me diell dhe mjaft i nxehtë, por me rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.

Scroll to Top